Mbi 35 mijë pushues, mes tyre 10 mijë turistë të huaj kanë marrë shërbim shëndetësor falas dhe me cilësi në 29 qendrat shëndetësore verore të hapura pranë zonave turistike. Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë së Himarës Jorgo Goro kanë parë nga afër Qendrën Shëndetësore 24 orëshe të Himarës.

“Në qendrën shëndetësore këtu në Himarë, kemi ofruar me mijëra shërbime pushuesve dhe është një qendër që ka patur intensitet pune shumë të lartë. Në tërësi, 29 qendrat shëndetësore verore të hapura përgjatë këtij sezoni kanë ofruar më shumë se 35 mijë shërbime për pushues, nga të cilët, më shumë se 10 mijë kanë qenë turistë të huaj që kanë marrë shërbime në këto qendra.”, tha Manastirliu.

Nga Qendra Shëndetësore e Himarës, e cila është në shërbim 24 orë gjatë gjithë viti, Ministrja Manastirliu foli për riorganizomin e ri të qendrave shëndetësore në territor.

“Kemi filluar një riorganizim të të gjithë sistemit parësor, nisur edhe nga zbatimi i strategjisë së kujdesit parësor. duke unifikuar të gjitha shërbimet që ofrojnë në qendrat shëndetësore 24-orëshe. Janë 31 qendra shëndetësore të cilat po standardizohen për të ofruar të gjitha shërbimet të unifikuara, duke filluar nga shërbimet laboratore, shërbime të radiologjisë dhe të gjitha shërbimet të cilat përfshijnë paketën – jo vetëm të kujdesit në banesë – por edhe të paketës të shërbimeve psiko-sociale, një tjetër shërbim ky, i cili së shpejti pritet të futet në shërbimet tona të kujdesit socio-shëndetësor, pjesë e strategjisë sonë të kujdesit parësor. Do të fillojmë me 31 qendrat shëndetësore 24-orëshe dhe duke u shtrirë në 50 qendra shëndetësore brenda këtij viti, e më tej dhe në të gjithë sistemin e kujdesit parësor”, tha Manastirliu.