Me rishikimin e buxhetit të shtetit, qeveria ka bërë edhe një shpërndarje të re të fondeve për institucionet. Është vendosur ulja e buxhetit për ministrinë e Financave, për Shëndetësinë, për Mbrojtjen dhe Institutin e Statistikave. Ndërkohë janë vënë më shumë para në dispozicion të transportit rrugor, projekteve të zhvillimit dhe për sistemet digjitale.
Qeveria ka parashikuar të jetë konservatore në shpenzime për periudhën e mbetur të vitit, prandaj ka ulur tavanet e deficitit buxhetor me 17 miliardë lekë në rishikimin e fundit që i bëri buxhetit. Por jo vetëm ndryshimi i parametrave të të ardhurave, shpenzimeve e deficitit, por qeveria ka bërë edhe rishpërndarje të buxhetit për shumë institucione shtetërore.
Shkurtimi më i madh i buxhetit i është bërë Ministrisë së Shëndetësisë. Nga 76.7 miliardë lekë që ishte totali i fondeve që kishte në dispozicion, me rishikimin e fundit i shkurtohen 2 miliardë lekë. Në këtë institucion janë ulur fondet për kujdesin shëndetësor parësor e dytësor si dhe për shërbimin e shëndetit publik.
Shkak për këtë ulje buxheti është bërë përmirësimi i situatës epidemiologjike me virusin COVID-19 në vend. Po ashtu është ulur me 992 milionë lekë buxheti i Ministrisë së Financave, pasi është reduktuar deficiti me skemën e pensioneve. Me 1.6 miliardë lekë janë ulur fondet dhe për Ministrinë e Mbrojtjes dhe INSTAT.