Pushtimi rus i Ukrainës ka ndërprerë zinxhirët globalë të ushqimit dhe po kontribuon në një krizë, e cila po përkeqësohet nga çmimet tashmë në rritje të ushqimeve dhe thellimi i varfërisë në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe disa pjesë të Afrikës.
Si Kievi, ashtu edhe Moska, janë eksportuesit kryesorë të produkteve bujqësore në këto dy rajone dhe efektet e luftës po i shqetësojnë qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare, përfshirë Forumin Ekonomik Botëror që paralajmëron se krizat në ushqim, karburant dhe financa mund të nxisin trazira në vendet më të varfra dhe shtyjnë të tjerët të mos kryejnë obligimet e tyre financiare.
Lufta në Ukrainë shkakton mungesa globale të ushqimit
Një marrëveshje e korrikut e arritur nga Turqia në mes të Rusisë dhe Ukrainës, theu një bllokadë disamujore ruse të porteve të Detit të Zi të Ukrainës dhe dha njëfarë shprese për lehtësim. Megjithëkëtë zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se dërgesat nuk po arrijnë tek ata që kanë më së shumti nevojë dhe se nuk kanë ndonjë mundësi të parandalojnë rritjen e krizës ndërkombëtare ushqimore.
Për të mësuar më shumë rreth pasojave që po rriten si pasojë e luftës, Radio Evropa e Lirë bisedoi me Daniel Speckhard, një ish-zyrtar amerikan, i cili aktualisht është president i Corus International, një organizatë globale që ofron ndihmë për njerëzit e prekur nga krizat humanitare. Speckhard ka shërbyer më parë si ambasador i SHBA-së në Bjellorusi dhe Greqi dhe ndër të tjera ishte zëvendësndihmës i sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për çështjet politike.
Kriza ushqimore e shkaktuar nga lufta në Ukrainë
Radio Evropa e Lirë: Ju keni shpenzuar një pjesë të madhe të karrierës duke u marrë me Rusinë. Si e ka ndryshuar lufta në Ukrainë mënyrën se si politikëbërësit në Uashington po e shohin Moskën tani në krahasim me vitet e mëparshme? Gjashtë muajt e fundit kanë ndryshuar shumë supozime për fuqinë ruse. Në cilin drejtim po shkojnë gjërat në mënyrën se si Uashingtoni e sheh Kremlinin dhe politikën e tij të jashtme?
Daniel Speckhard: Për shkak të statusit bërthamor të Rusisë fuqia që ajo ende zotëron në botë është e rëndësishme. Ndërsa aftësitë e saj konvencionale të luftës janë treguar ndoshta më të dobëta nga sa mund të mendohej, unë mendoj se bazat janë ende të njëjta: Ju keni një fuqi bërthamore që dëshiron të luajë në skenën globale si e barabartë me Shtetet e Bashkuara dhe Kinën dhe ata do të veprojnë sikur të jenë vërtet ashtu.
Kjo e bën atë [Rusinë] më të rrezikshme. Pra, mendoj se shqetësimet në Uashington dhe në kryeqytetet [e tjera] perëndimore, madje edhe në Pekin, janë se kjo është në fakt një situatë më e rrezikshme, sepse gjërat mund të përshkallëzohen më shpejt. Gjithashtu, Rusia në asnjë mënyrë nuk e sheh dobësinë e saj në mënyrën se si e shohim ne.
Për armët bërthamore: “Kurrë mos thuaj kurrë”
Për mënyrën se si ka ndryshuar, unë mendoj se marrëdhëniet ishin duke u dobësuara që një kohë, veçanërisht pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e SHBA-së [në 2015 dhe 2016]. Por, situata në Ukrainë e ka bërë interesant në kontekstin që Shtetet e Bashkuara ishin shumë të ndara për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, sepse kishte një mbivendosje politike [të brendshme] që ndante vendin.
Lufta në Ukrainë ka bërë që ato kryesisht të avullohen dhe me përjashtim të një grupi të vogël në Shtetet e Bashkuara, ka mbështetje të madhe për [Kievin].
Ndjenja anti-ruse në Uashington është rritur gjithashtu në disa mënyra dhe kjo gjithashtu është përfshirë në atë që është e disponueshme në anën e politikës së jashtme për të ardhmen e parashikueshme. Si rezultat, pjesa për të cilën jam i shqetësuar është se ka shumë çështje globale që duhen adresuar dhe që kërkojnë mbështetjen dhe përfshirjen ruse, qoftë mjedisi, terrorizmi, krimi i organizuar apo siguria.
Stoltenberg: Lufta në Ukrainë, momenti më i rrezikshëm që nga Lufta e Dytë Botërore
Të gjitha këto çështje kërkojnë bashkëpunim ndërkombëtar dhe pasojat nga lufta mund të përkeqësojnë shumë nga ato çështje dhe ta bëjnë të vështirë arritjen e nevojshme të konsensusit të gjerë global.
Radio Evropa e Lirë: Si Ukraina, ashtu edhe Rusia, furnizojnë botën me shumë grurë, veçanërisht vendet që janë në skaj të limiteve të tyre sa i takon sigurisë ushqimore. Tashmë kemi parë që mungesat e drithit kanë një ndikim botëror, por cilat janë disa nga efektet e dëmshme më të gjera që po shkakton kjo luftë?
Daniel Speckhard: Fillon me krizën humanitare që po shfaqet aktualisht. Sipas Kombeve të Bashkuara, gati 48 milionë njerëz po përballen me nivele emergjente urie dhe kjo po çon në kequshqyerje akute, uri dhe madje edhe vdekje.
Por, edhe më e rëndësishmja, janë edhe 70 milionë njerëz të tjerë që janë të shtyrë drejt varfërisë që nga muaji mars për shkak të asaj që po ndodh në Ukrainë – mungesës së ushqimit dhe ndërprerjeve të furnizimeve për këto vende.
Në Liban, për shembull, çmimi për një gallon vaj gatimi mund të kushtojë sa paga e një muaji. Po ka një ndikim në shumë vende dhe ajo që është interesante dhe shqetësuese për këtë nga perspektiva e politikës së jashtme, është se kjo nuk do të mbetet si një krizë humanitare.
Kjo, gjithashtu, do të çojë në kriza politike dhe potencialisht kriza sigurie, sepse kur njerëzit janë të uritur, kur ekonomitë janë të trazuara, veçanërisht në vendet, të cilat tashmë po vuajnë nga telashet ekonomike dhe mjedisore, pastaj kemi popullatë që është në skaj të mbijetesës dhe që bëhet e dëshpëruar.
Kjo çon në trazira politike dhe krijon pasiguri. Pastaj kjo pasiguri krijon dhe ushqen terrorizmin dhe dhunën në mbarë botën dhe konfliktet ndëretnike dhe ndërfisnore.
Ballkani, “vegël” e Rusisë për destabilizim të Evropës?
Pra, mendoj se duhet të jemi shumë të vetëdijshëm se ka rreth 200 milionë njerëz në 53 vende që po përballen me pasiguri akute ushqimore. Kur shikojmë se si ndodh kjo në Lindjen e Mesme dhe në Sahel në Afrikë, do të shohim efekte të dëmshme që nuk janë vetëm humanitare, por kanë të bëjnë edhe me politikën dhe sigurinë.
Ukraina vazhdon të zbatojë marrëveshjen e grurit pavarësisht sulmit rus në portin e Odesës
Pra, sfida për liderët e botës nuk është të përqendrohen kaq shumë në situatën e Rusisë dhe Ukrainës, por që ata gjithashtu t’u kushtojnë vëmendje nevojave shumë të thella dhe të dëshpëruara të shumë prej këtyre vendeve dhe t’i ndihmojnë ato të stabilizohen dhe ta kalojnë këtë të situatë të vështirë.
Radio Evropa e Lirë: Ka pasur akuza nga analistë dhe disa zyrtarë ukrainas se një pjesë e kësaj që po ndodh është një strategji e qëllimshme nga ana e Moskës. Si e shihni këtë?
Daniel Speckhard: Ajo që unë do të thosha është se kjo është një strategji terciare, në kuptimin që objektivi strategjik themelor qendror këtu për Rusinë është Ukraina, por ata do të përdorin të gjithë këtë përçarje si një objektiv për makinerinë e tyre të madhe propagandistike për të fajësuar Perëndimi për këtë.
Ju tashmë mund ta shihni se kjo gjë po ndodh. Është një aktivitet i gjerë i marrëdhënieve me publikun që po përgatitet dhe unë pres që kjo të shoqërohet nga një veprim i Rusisë, e cila dërgon ndihma dhe më pas rrjetet e saj propagandistike flasin se sa e dobët dhe joefikase është përgjigjja e OKB-së.
Një këndvështrim tjetër është se këto tendosje që kemi diskutuar, do t’i dobësojnë qeveritë dhe do të ketë shumë njerëz të uritur që kërkojnë përgjigje dhe ata mund të fillojnë ta kërkojnë atë nga liderët autoritarë që thonë se mund t’i mbrojnë ata. Moska tashmë ka thelluar lidhjet e saj me regjimet autoritare, veçanërisht në Afrikë dhe ka ofruar siguri dhe ndihmë ekonomike. Ata e kanë luajtur këtë lojë për dekada dhe unë do të prisja që ajo të përshpejtohej me hapjen e mundësive të reja.
Korrja vdekjeprurëse e grurit në Ukrainë
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë disa nga kartat që mund të luajë komuniteti ndërkombëtar për të ndihmuar në përballimin e kësaj krize? Përveç përfundimit të luftës, çfarë opsionesh ekzistojnë?
Daniel Speckhard: Ajo që mendoj se duhet të ndodhë është se duhet t’i kushtohet vëmendje e mjaftueshme kësaj në nivel ndërkombëtar.
Nuk mjafton që Shtetet e Bashkuara të thonë se kjo po ndodh ose të tërheqin vëmendjen, por ka nevojë për një njohje të gjerë ndërkombëtare në OKB, Bankën Botërore, G20 dhe organizata të tjera. Duhet, gjithashtu, të ketë një shtytje më të gjerë për të ushtruar presion ndaj Rusisë.
Turqia: Edhe tri anije me drithëra do të largohen nga Ukraina
Mendoj se këtu ka një mundësi që vendet e tjera të përfshihen, siç e pamë me Turqinë që ishte në gjendje të hapte portet e Detit të Zi për të lejuar që ushqimi të transportohet përsëri. Pra, ka një shans që vendet të ngrihen dhe të shkëlqejnë duke u fokusuar në nevojat humanitare të pjesës tjetër të botës.
Gjëra të tilla mund të mos i japin fund luftës, e cila do të kishte ndikimin më të madh, por ato sigurisht që mund të bëjnë dallimin.