Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar ndaj ngjarjes së rëndë ku humbi jetën një 7-vjeçare pasi u përplas nga një gomone në bregdetin e Potamit në Himarë.
Në një reagim në rrjete sociale, Spiropali thotë se vogëlushja humbi jetën nga papërgjegjshmëria e një personi i cili nga polic, u kthye në vrasës.
Ministrja i bën një apel të fortë institucioneve të drejtësisë për të kryer një hetim të shpejtë dhe të drejtë dhe të sigurohen që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.
Postimi i Elisa Spiropalit:
Ngjarja tragjike e Potamit na ka tronditur dhe lënduar të gjithëve. Një vajzë shtatë vjeçare humbi jetën e përplasur barbarisht nga një gomone.
Nesër ajo mund të ishte muzikante, shkrimtare, politikane, mjeke, apo edhe thjesht bijë e një nëne dhe prind fëmijësh.
E vrau papërgjegjshmëria. E vrau dalldia. Ia preu në mes jetën krimi i dikujt që moskontrolli i vetes e shndërroi nga polic, në vrasës.
Nxis një hetim të shpejtë dhe të drejtë. Hetim që jo thjesht të dënojë shkaktarin e një krimi kaq makabër, por edhe të dëshmojë se vepra të tilla kriminale do të dënohen me rreptësinë më maksimale të ligjit.
Të gjitha institucionet e sigurisë duhet të ngrihen në këmbë që kjo ngjarje e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe askund në bregdetin tonë.
Lutem per shpirtin e Saj të pafajshëm.
Ngushëllime familjes, edhe pse si nënë e dy fëmijëve të mitur e di se sot prindërit e vajzës janë të pangushëllueshëm. Dhimbja e tyre qoftë një klithmë për të gjithë ne që tragjedi të tilla të mos ndodhin kurrë më.