Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, përshëndeti sot Ukrainën në Ditën e Pavarësisë dhe shprehu besimin në fitoren e saj ndaj agresionit të Rusisë.
“Në 24 gusht të vitit 1991, Verkhovna Rada, Parlamenti i Ukrainës, shpalli Deklaratën e Pavarësisë, e cila u ratifikua nga referendumi i 1 dhjetorit të po atij viti.Gjatë tre dekadave si një shtet i pavarur, Ukraina ka shënuar arritje të rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.Ukraina është një vend mik i Shqipërisë dhe prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në janar 1993 kjo miqësi ka ardhur duke u forcuar, edhe si rezultat i një komuniteti të diasporës shqiptare që jeton në Ukrainë, i vendosur kryesisht në rajonin e Odesës”, tha Nikolla.
Ajo shprehet se, Ukraina e kremton 31-vjetorin e pavarësisë në kushtet e një lufte të padrejtë, prej 24 shkurtit të këtij viti, pas agresionit të Rusisë.Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të qartë e të vendosur në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, duke harmonizuar qëndrimin ndaj këtij agresioni me ato të ShBA-së, BE-së dhe NATO-s. Mirënjohje e vlerësim i kësaj mbështetjeje ishte fjalimi që mbajti në Kuvendin e Shqipërisë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në 3 maj, gjatë të cilit shprehu falenderimin për mbështetjen nga Shqipëria të luftës së drejtë të Ukrainës, mbështetjen e sanksioneve ndaj Rusisë, kontributin si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB dhe bashkëpenëmbajtëse me ShBA për mbështetjen e Ukrainës.
Nikolla shton se, vizita e Kryeministrit Edi Rama në Kiev në 15 qershor, kontributi i Shqipërisë në Konferencën e Donatorëve dhe strehimi në vendin tonë i mbi tre mijë ukrainasve janë gjithashtu dëshmi të kësaj mbështetjeje.
“Me dashuri dhe në shenjë solidariteti mora pjesë me një video-përshëndetje në veprimtarinë “Embrace Ukraine”, organizuar në 16 qershor në Amsterdam, me pjesëmarrjen e personaliteteve politikë e publikë nga Evropa dhe bota.Në këtë ditë të shënuar, i shpreh Kryetarit të Verkhovna Rada, kolegut Ruslan Stefanchuk, solidaritetin e Kuvendit të Shqipërisë dhe timin personal si edhe besimin se populli i Ukrainës do ta fitojë luftën e padrejtë që i është imponuar. Ora e historisë nuk kthehet prapa! Gëzuar Ditën e Pavarësisë, në kohë të vështira, popullit të Ukrainës!”, përfundon Nikolla.