Ligjvënësit në Letoni e kanë cilësuar Rusinë si shtet sponsorizues i terrorizmit, duke përmendur si arsye pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës, aktivitetet e saj ushtarake në Siri dhe disa raste të helmimit të kritikëve të Kremlinit.

Parlamenti letonez miratoi rezolutën për Rusinë më 11 gusht. Për rezolutën votuan 67 deputetë, ndërkaq 16 abstenuan.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, shkroi në Telegram se rezoluta e Letonisë ishte “ksenofobe”.

Përmes rezolutës, ligjvënësit dënojnë “dhunën e Rusisë kundër civilëve në përpjekjet e shtetit për të përfituar politikisht” dhe dënojnë përdorimin e municioneve të ndaluara “për të mbjellë frikë dhe për të vrarë civilët pa dallim”.

Parlamenti i Letonisë, përmes rezolutës, u bëri thirrje edhe shteteve të tjera që t’i bashkohen në këtë vendim.

Po ashtu iu bë thirrje edhe Bashkimit Evropian që të ndalojë lëshimin e vizave për shtetasit e Rusisë dhe Bjellorusisë, duke theksuar se pushtimi rus i Ukrainës po kryhet “me mbështetjen dhe përfshirjen e regjimit bjellorus”.

Qëkur ka nisur pushtimi rus i Ukrainës më 24 shkurt, Ukraina ka thënë se Moska po përdor territorin bjellorus për të kryer sulme ajrore ndaj territorit ukrainas./REL