Trupat amerikane të KFOR-it janë vendosur në rrugët kryesore në pjesën veriore të Kosovës të premten, ndërsa të enjten nuk u arrit një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë sa i përket targave dhe dokumenteve hyrje-dalje.
Kjo lëvizje vjen pasi që takimi në Bruksel nuk solli ndonjë marrëveshje siç pritej, ndërkohë që nga 1 shtatori Qeveria e Kosovës planifikon të vë masa reciprociteti ndaj Serbisë për çështjen e targave dhe dokumentacionit.
Presidenti Aleksandar Vuçiç e ka përshkruar takimin me kryeminsitrin Albin Kurti si një prej ditëve të rënda për Serbinë dhe popullin serb.
Sipas koha.net, sot nëpër rrugët e veriut të Kosovës janë parë forca të shtuara të KFOR-i dhe patrulla amerikane është stacionuar përgjatë rrugës kryesore që çon nga Serbia për në Kosovë, nëpërmjet qytetit të Mitrovicës.
Ndryshe, në takimin e fundit të Sekretarit të Përgjithshëm i NATO-s me kryeministrin e Kosovës, Kurti dhe presidentin serb Vuçiq, Jens Stoltenberg përsëriti se nëse shihet nevoja atëherë do të intervenojnë trupat e KFOR-it në veri.