Nga ARTUR AJAZI

Edhe kësaj here, Partia Demokratike dhe Sali Berisha, kanë vendosur të bëjnë politikën dhe opozitarizmin e tyre me fatkeqësinë. Në Himarë u vra mizorisht nga skafi i një ish-polici, vajza 7 vjeçare, dhe besoj se shteti dhe organet hetimore dhe gjyqsore do të japin dënimin maksimal. Shteti gjithmonë ka qenë dhe mbetet në krahun e qytetarit. Por ajo që bie në sy, mbetet “shampanja” që hapet në selinë e Partisë Demokratike, gjithmonë kur ndodh ndonjë fatkeqësi e tillë. “E vrau shteti, e vrau Policia e Shtetit, e vrau Çuçi, e vrau Rama”, dhe të tjera broçkulla si këto kemi dëgjuar, dhe dëgjuam edhe kësaj here. Po kush do ta bënte me dashje një makabritet të tillë ? Askush, por ja që ndodhin, dhe autori duhet të përgjigjet deri në fund, dhe dënohet. Por Sali Berisha, e ka gjetkë hallin dhe problemin e tij. Nuk pyet shumë as për rastin fatkeq, as për “popullin që vritet”. E ka treguar me vepra sa “ndjeshmëri” ka për popullin, njeriu që bëri 1997, 1998, njeriu që nuk ka sqaruar akoma Gerdecin, 21 Janarin, etjjjjj.partia Demokratike, ka luajtur dhe luan gjithmonë me fatkeqësinë e njerzve, bën politikë dhe opozitarizmin e saj me viktimat. E kemi parë se si, ka djegur dhe shkatërruar pronat publike dhe institucionet kur ka ndodhur ndonjë fatkeqësi e ngjashme, dhe këtë e ka bërë për interesat e saj. E kemi parë se si, janë djegur dyqane dhe plagosur uniformat e shtetit nga huliganë që gjoja “protestonin për viktimat e policisë”. Sali Berisha, ndjehet sot “triumfator”, por çdo hamendësi do ti shfryhet, sepse shqiptarët nuk pajtohen me njeriun që kërkon gjithmonë kaos, zjarr, shkatërrime. Rasti në fjalë është dhimbje e madhe për familjen, por edhe për çdo qytetar e familjar. Por kjo nuk do të thotë që të shfrytëzosh dhimbjen e tyre, dhe të mbledhësh mbështetësit e partisë. Politika nuk ka lidhje fare me rastet e tilla. Janë organet e drejtësisë, ato që arrestojnë, hetojnë dhe dënojnë vrasësit dhe elementin kriminal. Nuk gjen, një të dytë në botë, si Partia Demokratike dhe Sali Berisha, që shfrytëzojnë dhimbjen e një familjari, për të ngritur njerëzit në gjoja “protesta”, apo dhe duke kërkuar rrëzimin e qeverisë. E mbajmë mënd të gjithë, se si me trupin e të ndjerit Azem Hajdari, ai bëri rrebelim dhe shkatërrimin e kryeministrisë dhe RTSH në 1998, apo dhe me dhjetra raste të tjera, duke shfrytëzuar gjithmonë dhimbjet njerëzore. Shterpësia e të bërit opozitë, nuk ka asnjë lidhje me protestat e thirrura nga ajo parti, kur me llogjikë njerëzore dhe kodin etik, dhimbja e tjetrit respektohet dhe nuk shfrytëzohet për interesa politike apo personale Sali Berisha.