Ky shtator do të jetë i veçantë për nxënësit dhe prindërit e fshatit Pajan në Njësinë Administrative Pezë. Shkolla e re e rindërtuar pas tërmetit, e cila është shkolla e 4-rt që ndërtohet në Pezë, i bashkohet buqetës së 12 shkollave të reja që çelin dyert këtë vit arsimor dhe zgjidh njëherë e mirë udhëtimet e nxënësve me furgona në shkolla të tjera më të largëta.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Toni Gogu inspektuan mjediset e reja, të cilat kanë hapësira të dedikuara edhe për parashkollorin, duke krijuar lehtësi për fëmijët dhe prindërit.
“Kjo është shkolla e katërt që ndërtojmë në ish-komunën Pezë, e cila dikur me kushtet modeste që kishte, thjesht i mirëmbante shkollat. Duke u bashkuar si njësi administrative e Tiranës, sigurisht, investimet u rritën dhe krejt papritur nga komunë, kjo njësi ka një fuqi më të madhe ekonomike se sa kur mbahej vetëm me taksat e vogla modeste të Pezës. Filozofia e kryeministrit ishte që, fatkeqësinë e tërmetit, ta kthenim në një mundësi të jashtëzakonshme për rindërtim, edhe për të prodhuar realisht xhevahire”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi se pavarësisht debateve, bashkia ka treguar se u ka shërbyer të gjithëve, pavarësisht bindjeve politike. “Detyra jonë është t’u shërbejmë të gjithëve, pastaj secili ka shijen e tij: dikush e do shkollën e verdhë, dikush e do blu. Prandaj, nuk duhet ta humbim fokusin me debate të kota, çfarë i pëlqen njërit, çfarë i pëlqen tjetrit, por me debatin më të rëndësishëm: a u shërbejmë të gjithëve? Përgjigjja është po! Me këtë shkollë u shërbejmë të gjithëve, nuk kanë rëndësi bindjet”, shtoi ai.
Veliaj nënvizoi se shkollat e ndërtuara në periferi kanë të njëjtën cilësi si ato në qendër të Tiranës. “Ndonjëherë prindërit thonë: hë mo, se është shkollë në Pezë! Por shkollat “Agron Hysenlliu”, “Myrvete Peza”, “16 shtatori” dhe këtë shkollë i kemi bërë me të njëjtat standarde. Kush e mendonte se në Pajan do të kishte shkollë me ndriçim led, kamera sigurie dhe ashensor? Duke celebruar këtë ndërtesë, celebrojmë edhe këtë mision. Fakti që e kemi ndërtuar pak edhe më të madhe sesa është nevoja, do të thotë se mund të ofrojmë edhe ca shërbime shtesë për kopshte dhe çerdhe. Më vjen mirë që kemi punuar me të njëjtën cilësi si në qendër të Tiranës”, nënvizoi Veliaj.
Deputeti i PS, Toni Gogu tha se ky investim është një tjetër dëshmi se si tërmeti dhe fatkeqësia u kthyen në një mundësi për të zhvilluar zonën. “Pajana e kishte ëndërr një shkollë dhe sot jemi në një shkollë model që e admirojnë edhe lagjet e kryesore të Tiranës. Është vetëm fillimi i asaj që kemi thënë se si do të bashkohet zona rurale me kryeqytetin. Ja ku jemi përpara një ndërtese që nuk është më me fjalë, por është një realitet”, u shpreh Gogu.
Shkolla e re është e ndarë në dy korpuse, ku një pjesë i dedikohet parashkollorit me dy klasa mësimore, ndërsa ka edhe pesë klasa mësimore, katër laboratorë dhe një sallë leximi. Krahas terreneve sportive, shkolla ka dhe gjithë infrastrukturën tjetër ndihmëse.