Pista Olimpike e Atletikës është drejt përfundimit të punimeve për të pritur sportistët profesionistë në mes të Parkut të Liqenit të Tiranës.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale pamje nga Pista Olimpike e Atletikës, e cila po ndërtohet me standardet më të mira sportive.
“Mirëmëngjes dhe me risinë e bukur të Pistës Olimpike të Atletikës në parkun e rilindur të Liqenit të Tiranës, ju uroj një ditë të mbarë”, u shpreh Rama.
Pista me 6 korsi është realizuar sipas standardeve të atletikës dhe është në pritje të certifikimit për t’u përdorur edhe si hapësirë për aktivitete ndërkombëtare.
Në këtë pistë atletët mund të ushtrojnë disiplina të ndryshme të sportit të atletikës si 100 metra, kërcim së gjati, distancat e mesme, distancat e gjata, vrapim me pengesa, stafetat etj.