Qetësia, pastërtia dhe klima e veçantë e qytetit të Lasgushit, e kanë bërë prej kohësh Pogradecin një destinacion tejet special jo vetëm për pushuesit shqiptarë, por edhe ata të huaj.

Kryeministri Edi Rama përcolli sot përmes rrjeteve sociale opinione të disa pushuesve që kanë zgjedhur Pogradecin për të pushuar.

Kryeministri siguroi se “me investimet e reja që janë në rrugën e jetësimit mbi projekte ambicioze zhvillimi, ky destinacion do të jetë një tjetër pikë e bukur referimi e Shqipërisë 2030”.

Turistë shqiptarë e të huaj të cilët po pushojnë në Pogradec vlerësojnë veçanërisht pastërtinë dhe qetësinë që të ofron ky destinacion turistik.

“Vij nga Tirana, kam gati 1 javë në Pogradec, jam shumë e kënaqur. Uji është shumë i pastër. Këtu ka një pastërti shumë të madhe. Ujë të pijshëm qyteti ka 24 orë. Kam qenë edhe në Lin, shumë bukur me rrugët e rregulluara. Nuk e mendoja se ishte bërë kjo gjë. Më ka surprizuar shumë Pogradeci”, u shpreh një pushuese.

“Vijmë nga Holanda. Na pëlqejnë njerëzit këtu, natyra është e bukur. Në Holandë nuk kemi kaq shumë zona natyrore dhe moti është shumë i ngrohtë. Njerëzit janë shumë të këndshëm, janë miqësorë”, tha një turist i huaj.

“Pogradeci është dashuri me shikimin e parë që nuk të lë të largohesh asnjëherë. Ne kemi vite që e frekuentojmë. Na pëlqen ajri, njerëzit, pastërtia, ushqimi tradicional”, tha një tjetër pushuese.

“Qytet i mrekullueshëm, ofron gjithçka. Një liqen i pastër. Kanë investuar këtë vit. Qetësia dhe ajri pastër”, u shpreh një tjetër.

“Pogradeci ka ndryshuar. Të paktën dy vitet e fundit ka ndryshuar mentaliteti dhe mënyra e servirjes së ushqimit. Nuk ka më tym në bulevard, mjegull, apo ndotje akustike. Stina e verës ka jetë nate, ka rini në Pogradec. Qyteti është plot me të rinj edhe pse thuhet se frekuentohet nga moshat e treta”, u shpreh një tjetër.