Nga Ylli Pata/

Nuk ka lajm më të madh se ai që ka ndodhur sot. Nuk ka pasur asnjëherë në 30 vjet. Njeriu më i rëndësishëm i vendit: Presidenti i Republikës, që ka qenë edhe kryetar i Parlamentit edhe Kryeministër, është zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ka që në mëngjes, që ky lajm i vulosur zyrtarisht në regjistrat e SPAK ka marrë dhenë në mediat ndërkombëtare. Por çuditërisht, në mediat shqiptare, ai po trajtohet si një reagim i zyrave të shtypit të partive politike shqiptare.

Kushdo e mban mend vitin 2017, vjeshtën e atij viti, kur nga Italia vjen një lajm, ku një gjykatë e Katanias kishte arrestuar disa trafikantë shqiptarë. Të cilët, sipas përgjimeve telefonike kishin përmendur Saimir Tahirin, ish-ministrin e Brendshëm të Shqipërisë, i cili në momentin kur doli lajmi nuk ishte ministër.

Në Tiranë ra bomba! Të gjitha televizionet hapën edicionet speciale, në kanalet informative u lidhën direkt me “gazetarët special” nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilët ishin 24 orë live, edhe pse nuk kishin asgjë për të thënë. Pasi kishim të bënim me një vendim të Gjykatës së Katanias, i cili në fashikujt e saj, fliste për përgjimet e Habilajve, që përmendën Tahirin.

Megjithatë, lideri i opozitës, Lulzim Basha doli në media dhe i kërkoi kryeprokurorit Adriatik Llalla, që të arrestonte urgjent Saimir Tahirin.

Llalla, menjëherë pas urdhrit të Lulzim Bashës thirri prokurorët që i komandonte sipas skemës së vjetër të organit të akuzës dhe vendosi për të hapur zyrtarisht hetimet ndaj Saimir Tahirit.

Kryeministri i vendit, Edi Rama, njëkohësisht edhe lider i mazhorancës, menjëherë pas nisjes zyrtare të hetimeve, bëri të ditur se Tahiri lagohet nga kryesia e PS-së dhe funksionet e tjera politike në parti, për të lënë prokurorinë që të vijojë e qetë hetimet.

Vetë Saimir Tahiri tha se nuk ka nevojë për imunitet dhe do të bënte betejë për të vërtetën, duke e kundërshtuar akuzën. Ai hoqi dorë nga mandati i deputetit. Por në ato netë pamë edhe Tahirin të flasë për çështjen, gjithsesi më shumë pamë “gazetarë investigativë” e “të dërguar specialë” dhe panelistë që flisnin si njohës të çështjes, duke vënë vulën. Në krye të prokurorisë ishte Adriatik Llalla, i cili dihej se përkrahej dhe përkrahte politikisht Sali Berishën dhe Ilir Metën. Askush nuk e quajti “spurdhjak”, edhe pse pati në media pranë mazhorancës mjaft akuza dhe kundërshtime për hetimet ndaj Saimir Tahirit. i cili siç dihet, u hetua, u procesua dhe sot po vuan dënimin.

Sot ka një lajm edhe më të madh se Saimir Tahiri, madje shumë të madh, e sipas gjasave bëhet fjalë për një lajm që do të prodhojë edhe më shumë të tilla.

Por çuditërisht kanë humbur “të dërguarit specialë”, “investiguesit”, por edhe panelistët e zhurmshëm të studiove.

Në fillim po dalin “pararoja sulmuese” e panelistëve , të cilët lidhen direkt në Parisi që sulmojnë me artileri të rëndë SPAK dhe qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Panelisti” që çuditi dynjanë duke thënë se ka nisur gjyqi i Sali berishës ndaj Antony Blinken, e që doli i gënjeshtër, gërthiste në studio se “nuk ka besim ndaj drejtësisë”.

Po kush nuk ka besim ndaj drejtësisë? Sali Berisha dhe Ilir Meta? Kjo dihej, madje ata kanë luftuar për ta rrëzuar reformën në drejtësi, pra instalimin e SPAK dhe organeve të tjera. Në fakt, edhe tek çështja e besimit ka një handikap të madh, pasi ishte partia e Ilir Metës që denoncoi në SPAK Lefter Kokën e Alqi Bllakon për inceneratorët dhe Prokuroria e Posaçme nisi hetimet, i mori të pandehur, madje edhe i arrestoi, si dhe i sekuestroi asetet pasurore.

Si ka mundësi që Meta, i beson SPAK kur nis hetim ndaj dy politikanëve që ai i konsideronte si tradhtarë, e nuk beson kur ky institucion nis hetimet ndaj tij?

Le t’i kthehemi vitit 1992, kur Kryeprokurori që emëroi Sali Berisha arrestoi ish-Presidentin e vendit, Ramiz Alia. Ai shkoi te 313-a dhe përballoi qetësisht jo vetëm linçimin, proceset dhe manovrat e rënda dil e futu në burg, por edhe kur doli nga burgu e mori pafajësinë, nuk u egërsua, nuk i hyri politikës, edhe pse mund të krijonte një parti që të merrte vota edhe më shumë se ajo e Berishës apo PL-ja e Metës. Jetoi jetën e vet në qetësi derisa vdiq.

Megjithatë, sado po kërkohet, e natyrisht do të tentohet gjithë këto ditë që “të fusin minaren në thes”, sërish lajmi është shumë i madh: Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është nën hetim për vepra penale të korrupsionit dhe falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

E kur nis zyrtarisht një hetim, sipas Kodit të Procedurës Penale, hapet një dosje penale, e cila ose duhet të shkohet në gjykatë, ose mbyllet për mungesë provash. Por hetimi sapo ka nisur, e ky është një zhvillim zyrtar, i bujshëm, e natyrisht duhet të shpjegohet e analizohet me të gjithë detajet e tij.

Në kohën kur Saimir Tahiri u hetua nga Llalla, në televizionet e Tiranës ishte përnatë njeriu që kishte publikuar në media, pjesën e madhe të materialit që u kthye në dosje hetimore.

Sot, askush nuk thërret nëpër studio as Halit Valterin, i cili ka dorëzuar dosjen në SPAK, Halit Valterin, e as gazetarin që ka trajtuar me detaje këtë dosje, Adriatik Doçi, por bëjnë lidhje nga Parisi me gazetarin që tha do të ketë proces kundër SHBA në kryeqytetin francez, por që nuk ndodhi kurrë.

Megjithatë, përpos të gjithave, kemi një lajm mjaft të madh, Presidenti i Republikës, që ka qenë edhe Kryetar Kuvendi dhe Kryeministër është zyrtarisht nën hetim për korrupsion. Edhe pse tentohet të fshihet, lajmi ekziston. Thjesht duhet raportuar si nga pala që akuzon, por edhe pala akuzuese, deri kur të ketë proces. Dhe kur të mbyllet procesi i vendimit të formës së prerë, pra në apel, sido që të jetë vendimi: Meta i “fajshëm” apo i “pafajshëm”, sërish lajmi është i madh: Presidenti i vendit ka qenë nën hetim!