Një 55-vjeçar me iniciale V.GJ. është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi në pularinë në pronësi të tij të paregjistruar në Tatime prodhoheshin vezë të cilat shiteshin në treg në emër të markave të tjera.
Policia bën me dije se nën hetim në gjendje të lirë tashmë po hetohet edhe A. B. 55 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” pasi dyshohet se nuk ka ushtruar kontrolle në subjektin në fjalë.
Njoftimi i policisë
Shkodër / Vijojnë kontrollet për goditjen e paligjshmërive në fushën e aktiviteteve tregtare të paregjistruara në organet kompetente, goditen 4 raste.
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, operacioni policor i koduar “Illegality”.
√Prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara, në pularinë e paregjistruar, vihet në pranga 55-vjeçari.
Gjithashtu, shpallet në kërkim një shtetas (Drejtori i AKU, Shkodër), si dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër (Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit, Shkodër), pasi dyshohet se, duke shpërdoruar detyrën, nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit.
√Në vijim të planit operacional, procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas që administronin aktivitete tregtare të paregjistruara në organet kompetente.
Strukturat e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, në vijim të kontrolleve në disa subjekte tregtare, me qëllim evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Illegality”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
-V. Gj. 55 vjeç, banues në fshatin Bërdicë, Shkodër, për veprat penale “Mashtrimi me produktet ushqimore”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Bërdicë e Sipërme”, është konstatuar aktiviteti tregtar (pulari), në pronësi të këtij shtetasi, i paregjistruar në organet tatimore. Gjithashtu, u evidentua se 55-vjeçari prodhonte dhe shiste nën emërtimet e markave të tjera, produkte ushqimore (vezë) të pakontrolluara.
Në vijim, u referuan materialet, si dhe u shpall në kërkim shtetasi Gj. S. , 55 vjeç , banues në Shkodër, me detyrë Drejtor i AKU, Shkodër, si dhe u referuan materialet për shtetasin A. B. 55 vjeç, banues në Koplik, Malësi e Madhe, me detyrë Inspektor pranë Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se këta shtetas, duke shpërdoruar detyrën, nuk kanë evidentuar aktivitetet e paligjshme të 55-vjeçarit, si dhe e kanë favorizuar atë duke mos ushtruar kontrolle në aktivitetin në pronësi të shtetasit V. Gj.