Ditën e sotme, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në dëgjesën publike kërkuar nga federatat sportive për problematikën e basteve online në të zezë dhe propozimin për formalizimin e tyre.
Kryeministri Rama në fjalën e tij u shpreh: “Në fakt e vërteta është që kjo ftesë për ta bërë këtë dëgjesë publike është rezultat i një presioni pozitiv që vazhdon prej shumë muajsh nga ana juaj, që publikisht keni përsëritur në drejtim të qeverisë kërkesën për të konsideruar formalizmin e basteve sportive.”
“Ne natyrisht që e kemi ndjekur këtë debat që ju keni hapur. Ministria e Arsimit dhe Sportit ka bërë edhe komunikime me ju për të dëgjuar nga afër shqetësimin, por edhe pretendimet tuaja. Padyshim që këtu bëhet fjalë për një sasi potencialesh të ardhurash që do të ishin shumë të vlefshme për aktivitet sportiv, qoftë për federata e shumësportshit qoftë për federata e futbollit.”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama vazhdoi duke thënë se nga ana tjetër kemi një kontekst i cili duhet kuptuar dhe për të cilin unë do të them dy fjalë. Ne vendosëm të ndalojmë krejtësisht lojërat e fatit, duke pasur parasysh një situatë absolutisht dramatike me kërpudhëzimin e gjithë infrastrukturës së lojërave të fatit, me pafundësinë e sallave të bingove dhe atyre makinetave, e të ekraneve dhe basteve. Një shqetësim social posaçërisht për më të vegjlit, por dhe me situata familjare dramatike të kandisura deri në tragjedi.
“Dhe për hir të së vërtetës ne besojmë që ka qenë një absolutisht një vendim i drejtë dhe i duhur.” nënvizoi Kryeministri.
Më tej ai vijoi duke shtuar: “Në atë kohë debati i bërë, në fakt mbeti vetëm tek bastet sportive online dhe ishte një debat me pro dhe kundra brenda nesh. Ishte një debat i nxitur edhe nga fakti që të gjithë partnerët me të cilët ne e përgatitem atë vendimmarrje, si ekspertë ndërkombëtarë, na këshillonin që këtë pjesë ta konsideronim si pjesë jashtë vendimmarrjes së përgjithshme, duke na paralajmëruar për rrezikun e madh të lulëzimit në të zezë të kësaj pjese si rezultat i teknologjisë. Por situata në atë moment ishte e tillë dhe për hir të së vërtetës edhe nevoja për të qenë bardhë e zi, ishte e tillë që ne nuk e morëm në konsideratë as këtë fakt, pa llogaritur edhe gjithë batërdinë e krijuar në debatin politik ku u hodhën lloj-lloj pretendimesh, pa asnjë bazë, për gjoja përpjekjen për të devijuar të ardhurat në drejtime të caktuara.”