Banorët e fshatit Pilur të Himarës do të kenë mundësinë që të regjistrojnë tokat bujqësore. Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame sqaroi procedurat dhe vijoi diskutime të lira me fermerët e fshatit, me qëllim për të shpalosur të gjitha tipologjitë e problematikave të tyre dhe zgjidhjet e ofruara nga Ligji i ri 20/20.
“Toka me ligjin 7501 siç e dinë të gjithë, ka zona të vendit ku ka funksionuar ligji dhe është ndarë sipas ligjit, kanë marrë tokën sipas ligjit kanë marrë edhe AMTP e famshme. Piluri për fat të keq nuk e ka marrë. Nuk është fshati as i pari as i fundit për këtë situatë. Kemi bredhur ne qindra fshatra të Shqipërisë, por halli i hallit nuk i ngjan. Ka fshatra në Republikë që nuk e kanë marrë AMTP. Kanë shkuar te tokat e gjyshërve. Ka fshatra që e kanë marrë sipas ligjit 7501, por nuk kanë marrë asnjë herë AMTP dhe kam përshtypjen që edhe në Pilur ka familje që nuk e kanë marrë AMTP, që e kanë tokën, por nuk e kanë AMTP, ka situate nga më të ndryshmet. Tani më në fund kemi një ligj që na jep mundësinë të regjistrojmë pronat deri në fund”, tha Lame.
Edhe ata që nuk kanë as AMTP, as formularin por kanë marrë tokën sipas ligjit 7501, do të pajisen me AMTP dhe më pas regjistrim. Piluri është një fshat me histori dhe i famshëm për grupin e tij të polifonisë, i dëgjuar në të gjithë botën shqiptare. Këtë vitalitet të tij e shpreh edhe fakti që, fshati jo vetëm që nuk është zvogëluar gjatë periudhës së tranzicionit, por përkundër është zmadhuar duke patur aktualisht rreth 150 shtëpi.
Kjo zonë mbart problematika të shumta në aspektin e pronave. Të gjitha shtëpitë rezultojnë të parregjistruara asnjëherë, me përjashtim të vetëm të 8 prej shtëpive të vjetra që kanë tapi të vitit 1932. Që nga ai vit, asnjë pronë nuk ka dokument pronësie. Gjithashtu në fshat janë ndërtuar edhe rreth 20 shtëpi të reja, edhe ato të përfshira në procesin e legalizimit.
Por problem më i ngatërruar i mbarur nga tranzicioni, është ai i tokës bujqësore dhe i ullishtave. Në fshatin Pilur pjesa dërmuese e familjeve nuk është pajisur me AMTP në vitin 1991, kur u nda toka bujqësore dhe vijonte prej dekadash në këtë situatë. Tejkalimi i këtij ngërçi, mundësohet vetëm përmes zgjidhjes së ofruar me ligjin e ri 20/20, i cili mundëson njohjen e pronës së poseduar dhe pajisjen me akte të reja pronësie mbi këtë bazë. Ky proces do të ndiqet për të 400 pasuritë bujqësore që i përkasin këtij fshati. Takimi vijoi edhe me dhënien e dokumentit të pronësisë për një pjesë të shtëpive të fshatit, shumica të ndërtuara që para 150-200 vjetësh.