Lufta tregtare midis Rusisë dhe NATO-s, së bashku me luftën në Ukrainë, ka shkaktuar tashmë shqetësime serioze në lidhje me një mungesë të mundshme të energjisë për dimrin që po vjen në Evropën Lindore dhe Gjermani. Dhe kjo sepse këto rajone e marrin shumicën e energjisë së nevojshme jo vetëm për sektorin e tyre industrial, por edhe për ngrohjen e banesave nga dërgesat ruse të gazit.
Gjermania tashmë po propozon strehimin e njerëzve në stadiume me ngrohje, në një kohë që Komisioni Evropian po rekomandon një reduktim të konsumit të gazit në masën 15 për qind për vendet anëtare të BE-së. Ndikimi i mundshëm i një krize të tillë energjetike në këto rajone nuk duhet të nënvlerësohet.
Madje ajo mund të jetë shumë më e rëndë sesa mund ta presë shumëkush. Në mesin e këtyre shqetësimeve serioze, Moska duket se po përgatitet për të shfrytëzuar në maksimum varësinë e Evropës Lindore dhe Gjermanisë nga energjia ruse.
Rusia mund të përdorë aftësinë e saj për t’i shkaktuar kontinentit kosto ekonomike të konsiderueshme, dhe deri në një farë mase edhe ekzistenciale për këto shoqëri, në një përpjekje për ta kthyer opinionin publik kundër përpjekjeve luftarake të NATO-s që mbështesin Ukrainën.
Apo në rastin më ekstrem, ndoshta edhe kundër vetë NATO-s, teksa narrativat e grupimeve pro-ruse në këto vende po fajësojnë tashmë Ukrainën, NATO-n dhe SHBA-në për vështirësitë ekonomike që janë tanimë të pranishme. Skenari më i keq mund të jenë ndërprerjet e mëdha në sistemet e ngrohjes të zonave të banuara të këtyre vendeve.
Duke pasur parasysh dimrat e ftohtë në rajon, perspektiva që njerëzit të ngrijnë në shtëpitë e tyre ose të detyrohen të zhvendosen në strehimore për javë të tëra, por ndoshta edhe më gjatë, prek rëndë nivelin më të ulët të “hierarkisë së nevojave” për të cilat ka folur psikologu i famshëm Abraham Maslow.
Një situatë e tillë mund të shkaktojë në këto shoqëri pakënaqësi të mëdha të paprecedenta, të cilën Rusia mund ta përdorë për të shantazhuar lehtësisht Evropën Lindore dhe ndoshta edhe Gjermaninë. Në këtë rast më ekstrem, duke pasur parasysh rezervat e mëdha të gazit natyror dhe naftës së papërpunuar të SHBA-së dhe Kanadasë, një model i ngjashëm me Aktin e Huadhënies, duke ua ofruar këto rezervave vendeve evropiane, mund të jetë mënyra e vetme për të siguruar të ardhmen e aleancës perëndimore.
Që lufta në Ukrainë do të zgjasë shumë kjo u bë e dukshme që në muajin prill. Shpallja e njëanshme e një fitoreje të kufizuar do të ishte më e vogla nga dy të këqijat për Rusinë: Rreth 1/5 e territorit të Ukrainës ndodhet tashmë nën pushtimin rus, dhe përparimi më tej nuk duket të jetë i mundur, duke pasur parasysh ritmin jashtëzakonisht të ngadaltë të përparimit dhe numrin e lartë të viktimave.
Vazhdimi i një lufte të vazhdueshme do të sillte rritjen e mëtejshme të tyre. Gjithsesi, Rusia nuk duket se është ende e interesuar të shpallë një armëpushim, për ta “ngrirë” konfliktin përgjatë vijave aktuale të frontit. Që të ndryshojë rrjedhën e luftës, Moskës i duhej një ngjarje që do të ndryshonte lojën në terren, dhe fakti që rusët po vazhdojnë ende luftën, do të thotë se ata janë duke pritur një ngjarje të tillë.
Dhe mundësia e vetme që ka Rusia për ta kthyer luftën në favorin e saj, është dobësimi i angazhimit perëndimor për të ndihmuar Ukrainën, dhe për ta mbajtur atë jashtë kontrollit të Rusisë. Duke pasur parasysh shqetësimet e reja energjetike në Evropë, ndërprerjet e shpeshta nga Rusia të dërgesave të naftës së papërpunuar ose gazit natyror në Evropë për periudha të shkurtra gjatë muajve të fundit, dhe historinë e politikës së jashtme sovjetike në përmbysjen e shoqërive armike si një nga mjetet e saj kryesore përmes shkaktimit të krizave energjitike në Evropën Lindore dhe Gjermani, dhe përpjekja për t’i bërë këto shoqëri ta fajësojnë Ukrainën, mbështetja e NATO-s për Ukrainën mund të jetë alternativa më e përshtatshme. Nëse Rusia arrin të shkaktojë pakënaqësi të shumta dhe një presion të jashtëzakonshëm publik në Gjermani dhe NATO, dhe shtetet anëtare në Evropën Lindore i nxitin qeveritë e tyre të tërhiqen nga mbështetja e Ukrainës, kjo do të nënkuptonte një përparim të mundshëm, të cilin Rusia nuk mund ta shpresonte ndonjëherë ta arrinte në fushën e betejës.
Sigurisht, nuk është ende e sigurt se sa larg është e gatshme të shkojë Rusia. Ajo mund të përdorë ose jo si një armë furnizimet e saj me energji ndaj Evropës dimrin që po vjen. Gjithsesi, edhe lufta tregtare që vazhdon aktualisht midis BE-së dhe Rusisë, ka shkaktuar tashmë vështirësi të jashtëzakonshme ekonomike për Evropën Lindore dhe Gjermaninë.
Dhe ne nuk i dimë deri sa mund të durojnë këto shoqëri me këtë situatë, përpara se të jenë të gatshme të ndjekin narrativën e grupeve pro-ruse, duke filluar të fajësojnë për gjendjen mbështetjen ndaj Ukrainës, NATO-n dhe rreshtimin pro-SHBA të qeverive të tyre.
Madje për këtë mund të mos jetë e nevojshme ngrirja në shtëpitë e tyre. Edhe një recesion ekonomik i rëndë i shkaktuar nga kriza energjetike mund të jetë i mjaftueshëm, dhe problemi është se kur shoqëria e një vendi dozohet në “pragun e dhimbjes”, dhe kur është tashmë shumë vonë për të parandaluar kthesën e ngjarjeve.
Nga ana tjetër, Rusia mund të ndryshojë befas si veprimet ashtu edhe kërkesat e saj sipas dëshirës. Në lidhje me veprimet e mundshme të Rusisë, e vetmja bazë e qëndrueshme për t’i rezistuar shantazheve do të ishte nëse vendet në fjalë do të mbushnin depozitat e tyre të gazit përpara dimrit, gjë që zakonisht ndodh deri në tetor.
Pra, nëse deri në tetor vendet në fjalë nuk do të kenë mjaftueshëm gaz në depo për t’i mbijetuar dimrit, atëherë kjo do të ishte një shenjë e hershme e telasheve dhe e shantazhit të mundshëm rus. Deri në fund të korrikut, Evropa kishte mbushur vetëm 66 për qind të depozitave të saj të gazit.
Dhe një analizë nga Wood Mackenzie, parashikon që Evropa do t’i mbushë depozitat e saj vetëm në nivelin 75-80 për qind deri para ardhjes së dimrit. Kjo nënkuptonte se megjithëse vendet në fjalë mund të jenë në gjendje të sigurojnë ngrohje për popullsinë e tyre, në fund do të mbesin pa gaz.
Dhe mbërritja e muajit mars pa asnjë furnizim të mëtejshëm, nënkupton një dëm shumë të madh ekonomik deri në pranverë. Megjithatë, Rusia ka ende kohë deri në tetor që të reduktojë furnizimet e mëtejshme, duke e lënë Evropën me rezervat aktuale prej 66 për qind, dhe duke i detyruar këto vende të zgjedhin midis sigurimit të ngrohjes për popullsinë e tyre dhe funksionimit të industrive.Natyrisht, nëse Rusia arrin të marrë nën kontroll të gjithë Ukrainën, dhe duke e bërë atë një satelit të sajin, dhe praktikisht duke e ri-ngritur BRSS, kjo do të rriste presionin afatgjatë strategjik rus mbi Evropën Qendrore dhe Lindore. Natyrisht, ne nuk e dimë nëse Rusia do të shkojë kaq larg, por sigurisht që ajo ka aftësinë strategjike për ta bërë këtë.
Edhe nëse nuk ndodh skenari më i keq, ka ende shumë rezultate më pak ekstreme të krizës energjetike evropiane, ku integriteti i NATO-s mund të dëmtohet përtej mundësisë së riparimit. Ndaj mënyra e vetme për të siguruar të ardhmen e NATO-s kundër një kërcënimi të tillë mund të jetë Akti i Huadhënies i ofruar nga SHBA për Evropën Lindore dhe Gjermaninë.
Kjo metodë e shpëtoi Britaninë e Madhe dhe ndoshta Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe tani mund të jetë koha për ta përdorur atë për të siguruar të ardhmen e NATO-s.