Një avion i kompanisë britanike Jet2 ka bërë një ulje të detyruar në Selanik, për shkak se njërit prej pilotëve i ka rënë të fikët. Ndërsa avioni ishte në mbi 30 000 mijë metra lartësi, stjuardesat informuan pasagjerët se pilotit i kishte rënë të fikët.
Incidenti ka ndodhur në 23 gusht teksa avioni po ngrihej nga aeroporti i Birminghamit, por nuk u bë e ditur menjëherë. Një pasagjer në fluturimin LS1239 tha për Birmingham Live se kaosi filloi kur avioni përjetoi turbulenca gjatë fluturimit.
“Ndërsa ishim ulur të gjithë, vumë re se diçka po ndodhte në pjesën e përparme të avionit. Menduam se dikush ishte plagosur në tualet, ndërkohë që kishte zhurmë”, tha ai.
“Na u tha se do të zbarkojmë në Greqi për shkak të një urgjence mjekësore”, shtoi ai.
Ndërsa një zëdhënës i Jet2 tha për incidentin: “Fluturimi LS1239 nga Birmingham për në Antalia u devijua drejt aeroportit të Selanikut si masë paraprake të martën më 23 gusht për shkak të gjendjes jo të mirë të një prej pilotëve. Një ekuipazh u transferua në Selanik në mënyrë që ne të mund të transportonim klientët në rrugën e tyre për në Antalia po atë mbrëmje.
Ne informuam pasagjerët tanë sa më shpejt që të ishte e mundur dhe ekipet tona punuan jashtëzakonisht shumë për t’u kujdesur për të gjithë. Ne dëshirojmë t’i kërkojmë falje kujtdo që është prekur nga kjo vonesë e paparashikuar”, përfundoi ai.