Kreu i Komitetit Olimpik Shqiptar Fidel Ylli, në fjalën e tij të mbajtur në një dëgjesë publike nëse duhet që të hapen bastet sportive, tha se duhet që të mos ekzistojnë më bastet online, që sipas tij, kontrollohen nga të fortët.
Ylli theksoi se bastet duhet që t’i kontrollojë shteti e jo personat me profil kriminal. Ai shtoi se edhe në vendet europiane, bastet kontrollohen nga shteti, që më pas me paratë që fiton, i investon në fusha sportive, në pallate të sportit, në pishina etj. Fidel Ylli deklaroi se paratë nuk duhet që t’i marrin kriminelët, por shteti dhe t’i përdorë ashtu si siç duhet.
“U bë mirë që u mbyllën bastet. Por, ky është një fenomen që tani po luhet më shumë se më parë. Luhet edhe me 20 milionë e 30 milionë lekë në javë. Ku i gjejnë këta para, janë para droge, janë para të pastra? Unë them t’i mbyllim zoti kryeministër, por të mbyllim bastet në të zezë, t’i kontrollojë shteti e jo privati. Çdo shtet europian ka kompani bastesh. Ligjet tona do njehësohen me ligjet europiane, si do i themi neve një europiani që dëshiron të luajë me 1 euro apo 2 euro. Ka ligje që një person nuk mund të luajë dot në Suedi më shumë se 500 euro, shteti e kontrollon, sot tek ne luhen me miliona dhe shteti nuk merr asgjë.
Shteti duhet që të marrë para nga bastet normale. Kur shtete europiane si Anglia, Gjermania, i kanë me ligje dhe i kontrollon shteti, e pse duhet t’i kontrollojnë të fortët tek ne. Si është më mirë që një fëmijë të hyjë në dhomë dhe të luajë fshehurazi apo të kontrollohet pasi të mbushë 18 vjeç. T’i nxjerrim në dritë të diellit bastet dhe shteti të bëjë fusha futbolli, pishina, pallate sporti. Nuk kemi pallat sporti, nuk kemi pishinë për gara ndërkombëtare. Kjo bëhet me disa standarde, të luajnë me rregulla loje.
Suedia merr 810 milionë euro nga bastet dhe i çon në shkolla, i çon në infrastrukturë sportive. Sporti bëhet në shkollë, në klube, qëllimi është që të futet sporti që në shkollë. Ne kërkojmë që rinia të jetë e shëndetshme. Me paratë që do të marrim nga bastet, do u japim atë që meriton sportistëve që na nderojnë”, deklaroi Fidel Ylli.