Lufta në Ukrainë do të përfundojë në tavolinën e negociatave, ka thënë sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Kur shohim veprimet agresive të presidentit rus Vladimir Putin kundër një shteti sovran dhe paqësor në Evropë, si Ukraina, dhe gjithë retorikat kërcënuese kundër aleatëve të NATO-s, atëherë duhet të investojmë më tepër. Dy për qind e GDP-së është minimumi. Sigurisht, ne mirëpresim Britaninë dhe të tjerët që kanë synim të shpenzojnë më tepër se dy për qind, shkaku i realitetit brutal me të cilin po përballemi”, ka thënë Stoltenberg për Sky News.
Ai ka thënë se mbështetja për Ukrainën do të zgjasë, duke shtuar se kur palët do të ulen në tavolinë atëherë lufta do të përfundojë.
Sot Ukraina feston ditën e pavarësisë, derisa liderët shtetërorë kanë bërë thirrje që qytetarët të kenë kujdes pasi Rusia mund ta sulmojë vendin.