Shkrimtari dhe studiuesi i mirënjohur britanik Kenan Malik thotë se histeria e mediave britanike me emigrantët shqiptarë që kalojnë Kanalin me gomone, është krejt e ndryshme nga realiteti që tregojnë shifrat.

Ai thotë se vrulli i mediave britanike nisi nga një artikull në “Daily Mail” që supozonte se kishte në dorë një raport sekret të inteligjencës ushtarake, ku pretendohej se 40% e atyre që kalonin Kanalin ishin shqiptarë.Sipas tij, nga ngjarja përfitoi sekretarja britanike e Punëve të Brendshme, Priti Patel, duke e përdorur si propagandë për qëllimet e saj politike.

“Shikoni panikun e fundit për shqiptarët. Filloi me një artikull në Daily Mail , duke u mbështetur në një “raport sekret të inteligjencës ushtarake”, duke pretenduar se 40% e emigrantëve që kalojnë përmes Kanalit ishin shqiptarë. Programi “Today i Radio 4” të enjten pohoi se “zyrtarët e qeverisë besojnë se shumica” e njerëzve që mbërrijnë me varka të vogla ishin nga Shqipëria, një pretendim i paraqitur pa sfidë si fakt. Po atë ditë, Home Office zbuloi një marrëveshje me Tiranën për të “përshpejtuar” largimin e shqiptarëve, të cilët me sa duket nuk kërkojnë azil sepse vijnë nga një “komb i sigurt dhe i begatë”, shkruan Malik në një artikull të publikuar në The Guardian.

“Statistikat tregojnë një histori tjetër. Sigurisht që numri i shqiptarëve që kalojnë Kanalin është rritur, por në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka qenë rreth 17% e totalit. Është e mundur që shifrat të kenë ndryshuar në mënyrë dramatike që nga fundi i qershorit, por ne kemi pak prova për këtë, përveç burimeve të paverifikuara të Home Office dhe një dokumenti sekret nga inteligjenca ushtarake”, shkruan më tej Malik.

Intelektuali indiano-britanik thotë se edhe pretendimet për refuzimin e azilit pasi “Shqipëria është vend i sigurtë” janë të pavërteta. Sipas tij plot 53 për qind e shqiptarëve kanë arritur të marrin azil që me kërkesën e parë, dhe një pjesë tjetër më e madhe në apelin e dytë.

“Pretendimi se shqiptarët nuk kanë nevojë për azil sepse vijnë nga një vend i “sigurt” është gjithashtu i kundërshtuar nga të dhënat. Në vitin që përfundon këtë qershor, 53% e kërkuesve shqiptarë iu është dhënë azil, ose forma të tjera leje qëndrimi në vend, me vendimin e parë, dhe një përqindje më e lartë në apel. Në periudhën janar-qershor të këtij viti, shifra arriti në 385 persona; më pak se gjysma e kësaj shifre u refuzua zyrtarisht. Se çfarë ndodh me shumicën e shqiptarëve që përndryshe mund të kishin marrë azil kur vendosen në një korsi deportimi “të shpejtë”, askush nuk do ta thotë”.