Sulmi Kibernetik, AKSHI: Shërbimet publike online rikthehen në normalitet të plotë.
“Pas thuajse 3 javësh nga agresioni kibernetik, shërbimet online për qytetarët dhe bizneset janë normalisht të aksesueshme.
Aktualisht, 1214 nga 1225 shërbime online që jepen në platformën e-Albania, mund të përdoren nga qytetarët dhe bizneset me të njëjtën shpejtësi dhe lehtësi si më parë.
Janë në funksion të plotë edhe shërbimet e:
– aplikimit të formularit për lëshim për herë të parë ose rinovim të pasaportës
– deklarimit të humbjes së dokumenteve të ndryshme
– ndihmës ekonomike për individët dhe vërtetimit mbi masën e përfitimit të ndihmës ekonomike
– kërkesë për të përfituar nga programet e strehimit social
– lista e notave dhe vërtetimi i diplomës për studentët që kanë ndjekur Universitetin e Tiranës.
Ndërkohë, stafi i inxhinierëve po punon për të kthyer në normalitet dhe shërbimet e fundit të mbetura siç janë: njehsimi i diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga institucionet e huaja; vërtetimi i pagesës së aftësisë së kufizuar si dhe kryerja e pagesave të ujit dhe energjisë elektrike.
Nga dita e hënë do të mund të aplikohet edhe për Leje Ndërtimi (e-Lejet), vlerësimi të ndikimit në mjedis dhe përdorimit të burimeve ujore.
Sistemet elektronike të rikthyera se fundmi në funksionalitet të plotë janë:
– Sistemi i Qëndres së Botimeve Zyrtare;
– e-Inspektimi;
– Sistemi i menaxhimit tëinformacionit për burimet njerëzore të administratës;
– Sistemi elektronik i ndihmës ekonomike.
Gjithashtu, është funksionale posta elektronike zyrtare për të gjithë punonjësit e administratës. Janë forcuar mekanizmat e sigurisë së email-it zyrtar si dhe është bërë kalimi i çdo mailbox-i në infrastrukturën cloud.
AKSHI shpreh mirënjohje për të gjithë punonjësit e ekipit që ia dolën të rikuperojnë në një kohë rekord shërbimet publike online, si dhe skuadrën speciale të Microsoft për ndihmën gjatë gjithë këtyre ditëve.”, njofton AKSHI.