Bashkia e Tiranës do të ndihmojë Ukrainën me rindërtimin e shkollave dhe do të japë ekspertizën e saj për rimëkëmbien e Ukrainës si pasojë e luftës.

Një ditë pas takimit me Presidentin e Ukrainës, Kryebashkiaku Erion Veliaj shkruan se “jemi zotuar të rindërtojmë shkolla aty”.

“Shumë i lumtur që u takova me Presidentin Zelenski në Kiev, i cili shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e Shqipërisë dhe Kryeministrit Rama në Këshillin e Sigurimit, strehimin e refugjatëve dhe çdo ndihmë tjetër. Tirana dhe Kharkivi janë qytete motra – ne jemi zotuar të rindërtojmë shkolla aty dhe të japim ekspertizën tonë në rimëkëmbjen e Ukrainës”, thekson Veliaj.

Ndërkaq, kryebashkiaku Erion Veliaj ka shprehur mirënjohjen dhe për Dario Nardellan, Presidentin e Eurocities që mori drejtimin e 8 qyteteve të para që ndërmorën nismën për fillimin e rindërtimit të Ukrainës.

“Jam shumë krenar për Dario Nardellan – Presidentin tonë të Eurocities – që mori drejtimin e 8 qyteteve të para që nismuan procesin e përpjekjeve për rindërtimin e Ukrainës, çka shpresoj se do të ndiqet edhe nga qytete të tjera. Shqipëria, me rimëkembjen pas tërmetit, mund të japë shumë mësime që ia vlejnë të dëgjohen”, shprehet Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ishte pjesë e grupit të Kryetarëve të Bashkive të Qyteteve Evropiane të Eurocities në mbështetje të Ukrainës. Në prani të Presidentit Zelenski, Shefi i Zyrës së Presidentit, Andriy Yermak dhe Presidenti i Eurocities Dario Nardella, nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi për të mbështetur rindërtimin e qëndrueshëm të qyteteve të Ukrainës.