Kompania Apple u ka kërkuar punonjësve të saj që të kthehen në punë në zyra duke nisur nga shtatori. Në një mesazh të dërguar nga shefi ekzekutiv i Apple, Tim Cook, ai u kërkon punonjësve që të kthehen në zyra të paktën 3 herë në javë.

“Marrëdhënia ndërpersonale mes punonjësve është shumë thelbësore për kulturën tonë” – thuhet në mesazhin e Cook.

Punonjësit e selisë qendrore të kompanisë dhe zyrave të tjera rreth saj, do të duhet të kthehen në punë të martave dhe të enjten, si dhe një ditë tjetër që do t’i përcaktohet nga përgjegjësit dhe menaxherët.

Kjo do të hyjë në fuqi duke nisur nga 5 shtatori. Punonjësit e Apple në pjesë të ndryshme të botës do të kthehen në një orar të ndryshëm në varësi të rrethanave lokale, tha Cook në memon e parë nga Financial Times.

“Ne gjithashtu e dimë se kemi ende shumë për të mësuar. Dhe ne jemi të përkushtuar të dëgjojmë, përshtatemi dhe rritemi së bashku në javët dhe muajt në vijim.” – thuhej në mesazhin e Cook.

Shefi ekzekutiv i Apple theksoi se marrëveshjet ishin “pilot” dhe do të rregulloheshin sipas nevojës.

Nuk është hera e parë që Apple njofton një porosi për rikthim në zyrë. Në qershor 2021, ajo tha se planifikonte një kthim tre-ditor në javë në shtator të atij viti, vetëm për t’u tërhequr për shkak të rritjes së rasteve Covid-19. Disa punonjësve më vonë iu tha të ishin në zyra për një ose dy ditë në javë.