Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga terminali i ri i aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, ku sistemi i ri teknologjik i leximit të pasaportave lehtëson shumë të gjithë fluksin e hyrjeve përmes këtij aeroporti.
Rama theksoi se sot ka pesë herë më pak radhë në hyrje falë teknologjisë digjitale.
“Mirëmëngjes dhe me terminalin e ri në Rinas, ku sot ka pesë herë më pak radhë në hyrje, falë teknologjisë digjitale të leximit automatik të pasaportave, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Në 31 korrik u vendos në punë sistemi i ri teknologjik i leximit të pasaportave në hyrje në Rinas, falë angazhimit të Ministrit të Brendshëm, Policisë së Shtetit dhe kompanisë Kastrati.
Kalimi përmes barrierës digjitale me leximin digjital të pasaportës është një proces që zgjat më pak sesa gjysmë minuti dhe lehtëson shumë të gjithë fluksin e hyrjeve.
Përveç qytetarëve shqiptarë, në teknologjinë e re për leximin e pasaportave përfshihen edhe qytetarët e BE-së, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.
Në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” u inaugurua dje terminali i ri, prej 5 mijë metrash katrorë, pjesë e një investimi të përgjithshëm prej rreth 38 milionë euro të kryer në 1 vit e gjysmë, me objektivin për ta shndërruar aeroportin e Rinasit në portën hyrëse për të gjithë rajonin.
Me këtë investim rriten në mënyrë të konsiderueshme kapacitetet përpunuese, ku shtohen 8 porta të reja me teknologjinë e leximit të pasaportave.