Me qindra zjarrfikës në Kaliforni po luftojnë me zjarrin më të madh të përhapur në këtë shtet gjatë këtij viti. Flakët e zjarrit nisën në qarkun verior Siskiyou të premten, kanë djegur tashmë 21,000 hektarë bëri të ditur shërbimi zjarrfikës i shtetit. Të paktën 2,000 banorë si dhe udhëtarë në shtegun e ecjes Pacific Crest janë larguar nga zona, thonë autoritetet, ndërsa disa shtëpi janë shkatërruar.

Një paralajmërim me flamur të kuq është vendosur dhe tregon kërcënimin nga zjarret pasi Kalifornia vuan në mënyrë të vazhdueshme nga thatësira. Gjendja e jashtëzakonshme u shpall në qarkun Siskiyou pasi shtëpitë u shkatërruan dhe infrastruktura u kërcënua, tha guvernatori i shtetit Gavin Newsom.

“Zjarri u intensifikua dhe u përhap nga karburantet, kushtet ekstreme të thatësirës, temperaturat e larta, erërat dhe stuhitë rrufe”, shtoi ai.

Autoritetet paralajmërojnë se stuhitë mund të shkaktojnë më shumë zjarre në ditët në vijim. Shërbimi Pyjor i SHBA-së paralajmëroi se kushtet mund të jenë “jashtëzakonisht të rrezikshme për zjarrfikësit, për shkak të erërave të çrregullta dhe të forta, duke bërë që flakët të përhapet në çdo drejtim”.

Ky është zjarri i dytë i madh që ka përfshirë Kaliforninë ditët e fundit, pas flakëve që pushtuan Parkun Kombëtar Yosemite, më shumë se 1 javë më parë,

Ekspertët thonë se Kalifornia që po përballet me kushte të rënda thatësire, ndodhet ende para sezonit të zjarreve. Ndryshimi i klimës ka rritur rrezikun e motit të nxehtë dhe të thatë që me shumë gjasë provokon zjarret. Që nga fillimi epokës industriale temperatura globale është rritur me rreth 1.1C.