Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, tha në një intervistë me DW News se grindja aktuale mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave dhe dokumenteve të udhëtimit duhet të zgjidhet në pajtim mes dy palëve.
“Ne kemi diplomatët e duhur atje, kemi BE-në atje dhe do të jetë detyra jonë që t’i ulim në një tryezë të përbashkët të dy palët në konflikt.”
Tensionet e fundjavës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ishin të mërkurën, 3.8. pasdite në rend të ditës së seancës së jashtëzakonshme të Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin Federal të Gjermanisë.
“Lufta e Ukrainës e ka rritur ndjeshmërinë tonë për konfliktet e tjera në botë. Prandaj edhe detyra jonë në Ballkanin Perëndimor është që të kujdesemi me mjete diplomatike që të arrihet qetësia”, tha më tej Strack Zimmermann për DË.
Qeveria gjermane ishte shprehur e shqetësuar për situatën në Kosovë qysh në fillim të javës. Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha se në rast nevoje KFOR-i do të ndërhyjë për të vendosur paqen. Në qershor parlamenti gjerman e zgjati dhe me një vit mandatin e pjesëmarrjes në kuadër të forcave të KFOR-it. Aktualisht në Kosovë janë të stacionuar vetëm 65 ushtarë gjermanë, por në rast nevoje kontingjenti mund të shkojë deri në 400.
Ukraina dhe Mali gjithashtu në rend të ditës
Mbledhja e jashtëzakonshme e Komisionit, megjithëse Bundestagu ndodhet zyrtarisht në periudhën e pushimit parlamentar, ishte paralajmëruar prej kohësh, për shkak të situatës në Ukrainë. Strack-Zimmermann u shpreh për DË për një angazhim më largpamës të Gjermanisë ndaj Ukrainës.
“Gjermania tani duhet të pyesë se çfarë do t’i duhet Kievit pas disa muajsh: “A është ajo që po bëjmë sot e mjaftueshme për atë që do të vijë në të ardhmen? Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi thirrur për një konferencë donatorësh.” Veç kësaj Strack-Zimmermann kërkoi caktimin e një koordinatori për Ukrainën në Kancelarinë Federale për të gjetur se çfarë mund të bëhet në planin afatgjatë. /DW/