Pamja magjepsëse e plazheve dhe ushqimet e lira i ftojnë turistët drejt një destinacioni të ri, Shqipërisë, shkruan korrespondenti i së përditshmes britanike “The Times” për udhëtimet, Ben Clatworthy.
Ujërat të kristalta, zona të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, ndëkohë që vetëm rastësisht mund të ndodhë që veshi të të kapë zërin e ndonjë britaniku.
Shqipëria po flak tej famën e saj kur bëhet për krimin e organizuar dhe po konkurron me Greqinë dhe Kroacinë tani që turizmi po ringjallet pas pandemisë.
Kërkesa është aq e lartë, saqë kompanitë ajrore po rrisin shpeshtësinë e fluturimeve, operatorët e udhëtimeve dhe turizmit po prezantojnë ture të reja, kurse grupet më të mëdha hoteliere po njoftojnë vazhdimisht hapjen e hoteleve të tyre të reja në vend.
Ekspertët e turizmit dhe udhëtimeve shprehen që media sociale është një forcë nxitëse e interesit gjithnjë e më të madh për të vizituar këtë vend.
“Ata janë përdorues të gjerë të mediave sociale atje dhe kanë përfituar nga kjo”, shprehet Ellie Marr, një specialiste për Shqipërinë në agjencinë e udhëtimeve “Regent Holidays”.
“Në të kaluarën shumë interes ishte nga njerëzit që do të zbulonin Shqipërinë si një destinacion i panjohur dhe i paeksploruar, me një të kaluar komuniste”, shtoi ajo.
“Kurse tani fakt është që njerëzit e kanë parë në imazhe, kanë dëgjuar për të dhe e kuptojnë se është një vend mahnitës për bregdetin dhe bukurinë e tij natyrore. Mediat sociale kanë pasur një efekt të madh”, tha ajo
Videot e publikuara në rrjetin social “TikTok” shfaqin pamje të Ksamilit, një resort plazhesh me ujëra të kaltra dhe këto video janë shikuar më shumë se 60 milionë herë.
Marr, e cila sapo është kthyer nga pushimet familjare nga ai vend, shprehet se ato që e tërhoqën më së tepërmi janë natyre, peisazhi i mrekullueshëm dhe bregdeti i bukur.
“Për sa i përket peizazhit, mund të them se është një kombinim i Greqisë, Kroacisë dhe Malit të Zi”, tha ajo. “Veç kësaj, vendi ka një histori vërtet magjepsëse që, falë edhe të kaluarës së afërt komuniste, e bën tepër intriguese”.
“Skyscanner”, platforma më e madhe e rezervimit të fluturimeve në botë, tha se rezervimet nga viti i kaluar për në Shqipëri janë rritur 96 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-ës, viti i fundit i udhëtimeve para pandemisë.
Kompania ajrore “EasyJet” kishte planifikuar të niste fluturime direkte tre herë në javë nga aeroporti i “Gatwick” për në Tiranë, kryeqyteti i vendit, që në maj të vitit 2020, por kjo u vonua për shkak të pandemisë. Linja ajrore tani kryen fluturime direkte gjashtë herë në javë.
Të gjitha linjat ajrore kanë rritur numrin e tyre të fluturimeve drejt Shqipërisë. Në korrik 2019, 76 fluturime, me 14,000 pasagjerë, u kryen nga Britania e Madhe për në Shqipëri, sipas “Cirium”, një kompani analitike fluturimi. Ky numër u rrit në 207 muajin e kaluar, me 39,600 pasagjerë.
“Original Travel” shet paketa udhëtimesh turistike në këtë vend prej dy vjetësh dhe parashikon një bum të fortë turistik.
“Kroacia, Mali i Zi dhe Sllovenia kanë qenë të gjithë jashtëzakonisht të zënë këtë verë, por mundësitë dhe kapacitetet e tyre po pakësohen”, u shpreh bashkëthemeluesi i kompanisë, Tom Barber.
“Jemi të sigurt se do të fillojë të ketë një vërshim të turstëve drejt Shqipërisë. Ne sigurisht që po e promovojmë këtë si një alternativë ndaj këtyre destinacioneve, si një opsion i shkëlqyer për pushime me makinë me shumë aventura”.
Gjatë muajve të fundit, “ToursByLocals”, që operon në të gjitha vendet e Europës, ka konstatuar një rritje të ndjeshme në rezervimet e udhëtimeve nga ana britanikëve gjatë kohës që po kalonin udhëtimet në këtë vend. Kompania ka shtuar në itineraret e saj një udhëtim për në qytetin e Korçës, si edhe një udhëtim shumë-ditor në Rivierën Shqiptare , që nis nga plazhet e Durresit, për të vijuar në qytetin e Vlorës, në Parkun Kombëtar të Llogarasë dhe në parkun arkeologjik të Butrintit, që është pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s.
Celia Silvani, 31, e cila ka rezervuar një udhëtim për në fundt të muajit, tha: “Jam frymëzuar nga numri i videove të ‘TikTok’ që kam parë në faqen time ‘For You’ lidhur me Rivierën Shqiptare. Duket absolutisht mahnitëse dhe disi më ndryshe nga ndoshta disa prej zonave më të njohura të turizmit masiv të Europës, ku nuk më pëlqen të shkoj”.
Silvani nga Londra jugore, bashkëshorti i saj do të shkojnë në Ksamil dhe Sarandë.
“Ne po fluturojmë për në Korfuz dhe po marrim tragetin nga atje, kështu që do të arrijmë të vizitojmë dy vende në një udhëtim. Jam shumë e emocionuar dhe shpresoj që realiteti të përmbushë pritshmëritë e mia shumë të mëdha nisur nga imazhet në ‘TikTok’.”
Një tjetër faktor nxitës i kërkesës, veçanërisht në kushtet kur çmimet e pushimeve do të rriten vitin e ardhshëm, janë çmimet e ulëta të Shqipërisë.
“Është me të vërtetë një nga destinacionet e fundit me të vërtetë buxhetore në Europë”, tha Marr. “Ju mund të gjeni një vakt me tre pjata për 10 stërlina në restorante të caktuara. Plus, ju mund të pini një gotë verë për 2 stërlina dhe një birrë për 1,5 stërlina. Kjo duket se nuk më askund”.
Çmimet e biletave të kompanisë “EasyJet” për fluturimet mes Gatwick dhe Tiranës nisin nga 34.99 euro në muajin tetor. Kompania “Wizzair” është gjithashtu e pranishme atje. Kompania “Albawings” ofron çmime biletash që nisin nga 50.99 euro nga Stanstedi, ndërsa kompania “British Airways” kryen fluturime direkte drejt Tiranës për 60 stërlina. Të gjithë këto çmime janë vetëm një drejtim. Plazhi i Durresit ëshët vetëm 45 minuta larg me makinë nga Tirana, dhe gati pesë orë deri në Sarandë, që është skaji jugor i Rivierës Shqiptare.
Kompanitë turistike shprehen se edhe pushimet luksoze në Shqipëri nuk janë shumë të shtrenjta. Në veri të Sarandës, “Illyrian Boutique Hotel”, kushton 415 stërlina për shtatë netë në Booking.com. Për 876 stërlina në javë, pushuesit mund të qëndrojnë në dhomat e bardha të “Yacht Hotel”, në qytetin tërheqës bregdetar të Vlorës, me shëtitoren e saj të veshur me palma.
Ushqimi përqendrohet kryesisht rreth produkteve të detit dhe sërish më shumë produkte deti. Liqeni i Butrintit është një burim kryesor i midhjeve. Pica është kudo, së bashku me makaronat, falë traditës së Italisë fqinje. Shijet greke dhe ballkanike janë gjithashtu të njohura. Karbohidratet janë një ide e mirë pasi shqiptarëve u pëlqejnë pijet e forta. Turistëve u sugjeromë të kërkojnë raki, pije tradicionale alkoolike, por të sigurohen që të mos e teprojnë me të.