Qendra e Kontrollit Teknik e DRSHTRR Sarandë, falë investimit për rehabilitimin e plotë të kësaj qendre, ofron tashmë kushte optimale pune e shërbimi, me standarde bashkëkohore për punonjësit dhe qytetarët e rajonit jugor.
Investimi po kryhet me vetëfinancim të DPSHTRR-së, si pjesë e paketës së ndërhyrjes transformuese të Shërbimeve të Transportit Rrugor anembanë vendit.
Kryeministri Edi Rama, publikoi sot në rrjete sociale, foto nga kjo qendër, ku shihen dy realitete para dhe dhe pas investimit që e ka shndërruar këtë qendër në një institucion me standardet më të mira të punës dhe shërbimit.
“Ja transformimi i Qendrës së Kontrollit Teknik dhe DRSHTRR Sarandë tani me kushte optimale pune e shërbimi, me standarde për punonjësit dhe qytetarët e jugut, pjesë e paketës së ndërhyrjes transformuese të Shërbimeve të Transportit Rrugor anembanë vendi”, shkroi Rama.
Ndërhyrja ka përfshirë godinën dhe hapësirën përreth, ambientet sanitare e rigjeneruese, arkivën e sportelet.
Ndërhyrja gjithashtu përfshin mobilimin e ri, sistemet e sigurisë e të antizjarrit, ventilimin dhe ndriçimin, brandimin dhe sinjalistikën orientuese, sheshin funksional që përfshin dhe minipoligon testimi praktike, parkimet e reja dhe çlirimin e oborrit nga zaptimet, rrethim e gjelbërim, termoizolimin e pajisjet e reja, rrjetin për monitorim e komunikim informatik.