Çdo ditë më tepër që vazhdon sulmi i Rusisë mbi Ukrainën, aq më i gjerë dhe më i thellë është ndikimi i saj global. Prandaj po çdo ditë flitet gjithnjë e më shumë për një armëpushim. Por se si dhe në çfarë kushtesh mund të arrihet një marrëveshje e tillë, kjo mbetet një çështje më shumë pikëpyetje.
Por ndërkohë tashmë është e qartë, se një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës, nuk duhet të përsërisë gabimet e bëra që kur nisi konflikti i hapur midis dy vendeve më shumë se 8 vjet më parë. Në dallim nga opinioni i përhapur, të ashtuquajturat Marrëveshjet e Armëpushimit të Minskut të viteve 2014-2015, nuk ishin menduar si një zgjidhje përfundimtare.
Dhe siç e dimë tani, ato nuk do të ofronin një rrugë reale drejt paqes. Përkundrazi, marrëveshja e negociuar në kryeqytetin bjellorus do të bëhej vërtet pjesë e problemit, pasi nxiti strategjitë agresive ruse që çuan në përshkallëzimin dramatik në fillim të këtij viti.
Në fillim të shtatorit 2014, ushtria ukrainase pësoi një disfatë të rëndë në Ilovaisk përballë forcave tokësore ruse pa uniforma zyrtare. Nga frika e humbjeve të mëtejshme, Kievi ra dakord të zhvillojë negociata me Moskën.
Por Protokolli i Minskut (“Minsk I”), i shërbeu kryesisht interesave ruse. Për shembull, ai parashikonte një “decentralizim” – pra ballkanizim – të Ukrainës. Pati vërtet një lloj armëpushimi; por konflikti nuk u zgjidh. Përkundrazi, Ukraina pësoi një tjetër humbje të rëndë ushtarake në Debaltseve në shkurt 2015.
Përballë kërcënimit të një pushtimi më të thellë rus të Ukrainës, Kievi nënshkroi të ashtuquajturën “Paketë të Masave për Zbatimin e Marrëveshjeve të Minskut”, e cila u bë e njohur si “Minsk II”. Por të dyja marrëveshjet patën të paktën tre probleme themelore, të cilat duhet të shmangen në të ardhmen.
Problemi nr.1: Legjitimimi i nihilizmit sipas ligjit ndërkombëtar
Problemi kryesor me Marrëveshjet e Minskut ishte miratimi i tyre në shkelje të plotë të së drejtës ndërkombëtare. Pra shkelja nga Rusia e sovranitetit politik dhe integritetit territorial të Ukrainës. Marrëveshjet u nënshkruan nga Ukraina vetëm nën një presion të madh.
Më e keqja ishte mungesa e presionit perëndimor ndaj Rusisë. Moska e rriti qëllimisht presionin e armatosur ndaj Kievit përpara përfundimit të tyre. Kjo i dha mundësi Kremlinit të përcaktojë përkufizimin e konfliktit dhe zgjidhjen e supozuar të tij. Për më tepër edhe zbatimi i marrëveshjeve u karakterizua nga mungesa e presionit shoqërues perëndimor ndaj Rusisë, si dhe nga mbështetja për Ukrainën.
Meqë Rusia ishte shkaku kryesor i konfliktit në Ukrainën lindore, supozohej se ajo do t’i zbatonte marrëveshjet me mirëbesim. “Kryengritja e Donbasit” e orkestruar nga Moska ishte një shkelje e dukshme e pavarësisë dhe kufijve të Ukrainës, dhe rrjedhimisht e rendit evropian të sigurisë. Por shkeljet e herëpashershme u denoncuan me një zë të mekur.
Problemi nr.2: Mospërfillje e standardeve demokratike themelore
Fillimisht, Ukraina ishte e gatshme të përmbushte me shpejtësi angazhimet e saj në kuadër të “Minsk I”, pra kërkesën për mbajtjen e zgjedhje të reja në territoret e kontrolluara nga qeveria. Kështu, Kievi caktoi mbajtjen e zgjedhjeve lokale në dhjetor 2014.
Megjithatë, një muaj para zgjedhjeve të planifikuara, në fillim të nëntorit, dy regjimet de facto të kontrolluara nga Moska, “Republikat Popullore të Donetsk dhe Lugansk”, ose DNR dhe LNR, mbajtën ilegalisht zgjedhjet e tyre. Ato u zhvilluan pa pjesëmarrjen e partive ukrainase, përfshirë ato pro-ruse, dhe u dhanë një legjitimitet formal liderëve të shteteve-kukull të Ukrainës Lindore të kontrolluara nga Moska.
Që nga ai moment Moska nxiti mbajtjen e zgjedhjeve të tjera farsë. Ajo i portretizonte liderët e DNR dhe LNR si përfaqësues të popullsisë së Donbasit dhe entiteteve thuajse shtetërore në konflikt me Kievin. Kjo shkelje e hershme nga Moska e Protokollit dhe Memorandumit të Minskut sabotoi negociatat pasuese.
Problemi nr.3: Lejimi që agresorit të korrte frytet e agresionit të tij
Kievi i nënshkroi Marrëveshjet e Minskut në mesin e kërcënimeve të një ndërhyrjeje edhe më të thellë ushtarake ruse në territorin ukrainas. Ai firmosi marrëveshjet e 2014 dhe 2015, pavarësisht faktit se ato përmbanin dispozita që synonin të cenonin sovranitetin, integritetin dhe stabilitetin e Ukrainës.
Ato i kërkuan Ukrainës t’u jepte status të veçantë kushtetues zonave joqeveritare, dhe të zhvillonte zgjedhje lokale përpara se forcat e parregullta ruse të tërhiqeshin ose të çarmatoseshin. Politikanët dhe diplomatët perëndimorë nuk arritën të kundërshtojnë si duhen pengimin që i bënë rusët monitorimit të kufirit shtetëror ukrainaso-rus nga misioni i OSBE-së.
Kështu, përfitimet e ndryshme gjeografike, pushtetore-politike dhe pseudo-ligjore të arritura nga Rusia gjatë fazës së parë intensive të agresionit të saj të fshehtë kundër Ukrainës në vitet 2014-2015 u bënë fakte të reja në terren. Ato u perceptuan kryesisht nga politikanët dhe diplomatët perëndimorë si bazat e përpjekjeve të tyre ndërmjetësuese.
Në negociatat dhe debatet ndërkombëtare, pushtimet e Rusisë në Ukrainë u bënë pika fillestare të pranuara për afrimin e mundshëm midis dy vendeve. Në vend se t’i thuhej vazhdimisht që kjo është e papranueshme, agresori rus shpesh ndihmohej nga ndërmjetësit e huaj. Në konsultime dhe konfrontime të ndryshme me viktimën e saj, Ukrainën, Rusia ishte në gjendje të korrte fryte të reja të agresionit të saj ushtarak./Përktheu: abcnews.al
Shënim:Hugo von Essen dhe Andreas Umland janë analistë në Qendrën e Stokholmit për Studimet e Evropës Lindore (SCEEUS) në Institutin Suedez për Çështjet Ndërkombëtare (UI).