Ashtu si gjithë Europa edhe Britania e Madhe po përballet me pasojat e krizës energjetike. Situata duket aspak premtuese, ndaj edhe nisur nga rritja stratosferike e çmimeve të energjisë në bursat ndërkombëtare, Britania ka vendosur të rrisë faturën e energjisë për të gjithë abonentët, përfshi këtu ata familjar apo edhe bizneset.
Rregullatori i energjisë në Britaninë e Madhe, OFGEM vendosi që duke nisur nga 1 tetori kufiri i çmimit të energjisë të rritet në 3,549 £ në vit për një familje mesatare me 2 deri në 3 persona ose thënë ndryshe të trefishohet krahasuar me tetorin e një viti më parë, kur çmimi i kësaj fature ishte 1277 paund.
Ndërkohë që për familjet e mëdha, ato me 4 deri në 5 persona çmimi i faturës do të arrijë në 5100 paund.
Rritja e çmimit mesatar të energjisë në Angli reflekton rritjen e vazhdueshme të çmimeve globale, të cilat filluan të rriten pasi bota u zhbllokua nga pandemia e Covid por arritën në nivele rekord, kur Rusia ngadalësoi furnizimin me gaz në Evropë.
Rregullatori i energjisë në britani nuk jep parashikime për kufirin e çmimeve për janarin, por
analistët në Cornwall Insight parashikojnë rritje të mëtejshme, kur kufiri i çmimeve të përditësohet përsëri. Ata thonë se fatura tipike mesatare ne janar do të jetë 5,386 £ në vit.
Me një situatë të vështirë po përballen edhe dy ekonomitë më të mëdha të europës, Gjermania dhe franca, të cilat të premten arritën çmime rekord të energjisë për megavator.