Një situatë e pazakontë e ka rikthyer kryebashkiakun e Sarandës, Adrian Gurma në profesionin e tij, atë të mjekut. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 23.30 të ditës së djeshme në shëtitoren e Sarandës, ku një turiste italiane ka humbur ndjenjat duke rënë në tokë pasi nuk ishte ndjerë mirë.

Të afërm të saj dhe kalimtarë të rastit janë përpjekur që ta ndihmojnë duke i dhënë ndihmën e parë, ndërsa ka ndërhyrë edhe vetë Gurma, i cili ndodhej në shëtitore së bashku me stafin e tij për inspektim.

Nisur nga situata, ai ka ndërhyrë duke i dhënë ndihmë disi më të specializuar turistes italiane. Kryebashkiaku e asistoi turisten deri në momentin e mbërritjes së ambulancës dhe e shoqëroi më pas deri në urgjencën e spitalit të Sarandës.

Sipas bluzave të bardha të urgjencës në Sarandë, 57-vjeçarja italiane Tereza Zakarelo mori ndihmën mjekësore për gjendje lipotimie me luhatje te tensionit, takikardi dhe çrregullime të funksionit kardiak që i kishte ardhur nga qëndrimi i gjatë në diell gjatë ditës.

Ajo qëndroi në urgjencë për rreth 4 orë dhe u largua në gjendje të normalizuar.