Për Bashkitë, të cilat nuk e kanë kryer funksionin e tyre për vjeljen e taksave, “në ndihmë” do u vijë qeverisja vendore! Me anë të një vendimi të publikuar në Fletoren Zyrtare janë të përcaktuara qartë se si do të bëhet vjelja e këtyre detyrimeve. Kjo detyrë i është ngarkuar Drejtorisë së taksave dhe tarifave vendore.
Fillimisht, qytetarët do të njoftohen për detyrimet e papaguara që kanë me anë të postës, dorazi ose me anë të komunikimit elektronik. Në rast se brenda 10 ditëve që nga koha e njoftimit nuk kryehet pagesa, atëherë drejtoria e taksave dhe tarifave vendore do nis nga puna për mbledhjen e detyrimeve të papaguara. Udhëzimi përcakton që nëse pagesa nuk kryhet brenda 10 ditëve pas marrjes së njoftimit, tatimpaguesit do t’i konfiskohet 50 për qind e xhiros ditore.
Gjithashtu, qytetari që është debitor nuk do mund që të ketë mundësi që të transferojë paratë në llogari të tjera apo kur shihet se ka tentativa për t’u larguar nga vendi me qëllim shmangien e pagesës së detyrimeve, atëherë mund të shkojë deri në ndjekje penale, bllokimin të llogarive e deri në sekuestrimin apo në konfiskim të pasurisë.
“Me kalimin e afatit 15-ditor, nga dita e marrjes së njoftimit të sekuestrimit nga ana e taksapaguesit, sendet e paluajtshme ose të luajtshme të sekuestruara nga administrata tatimore, prej taksapaguesit, konfiskohen dhe i nënshtrohen procesit të shitjes së tyre, me qëllim arkëtimin e detyrimit tatimor”, theksohet në udhëzim.
Në rast se qytetari nuk ka mundësi për të paguar detyrimet, atëherë mund t’i ofrohet mundësia për ta paguar me këste, por për një periudhë jo më të gjatë se fundi i vitit të ardhshëm kalendarik pas momentit të nënshkrimit të marrëveshjes. Megjithatë, në këtë rast ai duhet të vërtetojë pamundësinë financiare./Shqiptarja.com