Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i ka dërguar Gjykatës së Lartë listën me tre kandidatët për plotësimin e vakancave në Gjykatën e Kushtetuese. Pas kontrollit të kryer nga KED, në listë është renditur i pari gjyqtari i apelit Ilir Toska, aktualisht anëtar i Këshillit të lartë Gjyqësor. Toska është vlerësuar me 85.44 pikë, ndërsa i ka kaluar të dyja shkallët e vettingut.

Në listën e KED është renditur e dyta gjyqtarja Manjola Xhaxho me 83.34 pikë, ndërsa e treta gjyqtarja Holta Zaçaj me 82.2 pikë. Lista e renditjes nga KED i është drejtuar Gjykatës së Lartë e cila do të përzgjedh një nga tre kandidatët. Gjykata e Lartë propozon dhe ka te drejte emërimi për 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, nga 9 që ka gjithsej ajo. 3 përzgjidhen nga presidenti dhe 3 të tjerët nga Parlamenti.

Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese

1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:

a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;

c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;

ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;

d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;

dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:

a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;

b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.