Vendet e trashëgimisë kulturore në vendin tonë çdo vit e më shumë po tërheqin vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, pasi këto vende ngjallin interes të lartë për të mësuar më shumë rreth vlerës së tyre dhe historisë.
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka bërë një bilanc të gjashtëmujorit të parë të vitit, sa i përket vizitave në objektet e trashëgimisë kulturore.
Në 6-mujorin e parë të këtij viti, numri i vizitorëve në objekte të trashëgimisë kulturore, ka qenë dy herë më shumë se në vitin 2021.
Nga shifrat e publikuara nga Ministria e Kulturës në 6-mujorin e parë të këtij viti, numri i vizitorëve ka qenë 213,519 ndërsa në vitin 2021 ka qenë pothuaj gjysma e tyre, 106,534 vizitorë.
Monumentet tona po bëhen gjithnjë e më ftuese për vizitorët, shprehet ministrja, ndërkohë që shifrat vërtetojnë se trendi rritës, të paktën në tre vitet e fundit, ka qenë me 100 %.
Këtë vit është shënuar një fluks në rritje i vizitorëve vendas dhe të huaj në sitet e trashëgimisë kulturore shqiptare, në të cilat nuk ka munguar kujdesi përmes investimeve dhe restaurimeve.
Këto atraksione janë më të preferuarit gjatë kësaj periudhe për turistë e huaj pasi ata shfaqin interes për të parë nga afër objektet dhe për të mësuar më shumë rreth historisë dhe vlerave që kanë këto vende.