Chelsea e ka nisur me fitore sezonin 2022/23 të Premier League. Skuadra e Thomas Tuchel ka marrë një fitore të rëndësishme 1-0 në fushën e Everton-it.
Takimi i luajtur në Goodison Park ka patur një moment të frikshëm në minutën e 18-të, kur mbrojtësi i Toffees, Godfrey, ka pësuar një dëmtim të rëndë dhe është larguar nga fusha me barelë.
Në fundin e pjesë së parë ka ardhur goli që ka vendosur takimin. Një gol i shënuar me penallti nga specialisti italian Jorginho, i cili nuk ka gabuar.
Mesfushori ka shënuar 20 gola në Premier League, me 90% prej tyre që kanë qenë penallti (18/20), përqindja më e lartë për çdo lojtar me të paktën 10 gola në kampionatin anglez.
Kështu, londinezët i bashkohen pesë skuadrave të tjera që e kanë nisur sezonin me fitore dhe që tani kryesojnë renditjen me pikë të barabarta.
Sulmuesi kuqezi Armando Broja është aktivizuar në minutën e 75-të në vend të Havertz dhe ka ndihmuar londinezët të mbrojnë avantazhin.