Të dhënat e Barometrit të Ballkanit të publikuara nga “Këshilli për Bashkëpunim Rajonal” tregojnë se Shqipëria është vendi më i shpejtë në rajon sa i përket formaliteteve dhe kontrolleve të nevojshme doganore. “Scan Intel” i ka analizuar të dhënat e sondazhit të biznesit sa i përket numrit mesatar të ditëve për të zhdoganuar mallrat e eksportuara dhe importuara. Theksojmë se sondazhi për Opinionin e Biznesit është i përbërë nga 177 pyetje për 1203 pronarë biznesi, menaxherë apo drejtues. Mes shumë pyetjeve të tjera rreth biznesit të anketuarit janë pyetur edhe për kohën që ka marrë zhdoganimi i mallrave gjatë 12 muajve të fundit. Krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria ka përqindjen më të lartë të pronarëve të biznesit të cilët janë shprehur se zhdoganimi i mallrave të eksportuara merr më pak se dy ditë. Referuar të dhënave janë rreth 17% e të anketuarve të cilët kanë thënë se procedurat e zhdoganimit të mallrave të tyre në Shqipëri zgjasin më pak se dy ditë. Kosova gjithashtu regjistron përqindje më të lartë se vendet e tjera sa i përket zhdoganimit. Në Kosovë 19% e të anketuarve janë shprehur se procesi i zhdoganimit nuk zgjat më shumë se dy ditë. Ndërkohë në vendet e rajonit, përqindja e të anketuarve të cilët kanë dhënë këtë përgjigje varion nga 15% në Bosnje Hercegovinë, 6% në Maqedoninë e Veriut dhe 8% në Malin e Zi dhe Serbi. Në Shqipëri 79% e të anketuarve janë shprehur se nuk kanë eksportuar mallra gjatë 12 muajve të kaluar, 2% janë shprehur se procedurat e zhdoganimit zgjasin 3 deri në pesë ditë, ndërsa 3% kanë thënë se procedurat zgjasin mbi pesë ditë.
“Scan Intel” gjithashtu ka analizuar të dhënat e barometrit mbi zhdoganimin e mallrave të importuara. Sipas shifrave edhe sa i përket procedurave dhe kontrolleve doganore për importet, Shqipëria rezulton përsëri më e shpejta në rajon. Janë 47% e bizneseve të anketuara të cilët janë shprehur se këto procedura për importet përfundojnë brënda dy ditëve. Në Kosovë 22% e të anketuarve janë shprehur se zhdoganimi i mallrave zgjat më pak se dy ditë. Ndërkohë, në vendet e rajonit duket se procesi i zhdoganimit zgjat më tepër. Në Bosnje Hercegovinë janë 14% e të anketuarve të cilët kanë thënë se zhdoganimi i mallrave zgjat më shumë se pesë ditë. Të dhënat tregojnë se në vendin tonë 34% e të anketurve janë shprehur se nuk kanë importuar mallra gjatë 12 muajve të fundit, ndërkohë 13% janë shprehur se procedurat doganore për importet zgjasin 3 deri në 5 ditë dhe vetëm 7% e tyre janë shprehur se këto procedura zgjasin më shumë se 5 ditë.
Nëse keni eksportuar mallra në 12 muajt e fundit, cili është numri mesatar i ditëve për t’i zhdoganuar?
Nëse keni importuar mallra në 12 muajt e fundit, cili është numri mesatar i ditëve për t’i zhdoganuar?
*Material i përgatitur nga SCAN INTEL. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.