Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka vizituar kabinetin dentar në Shkollën 9-vjeçare “Mihal Grameno”, në kuadër të Programit të Depistimit të Shëndetit dhe Kujdesit Dentar për fëmijët e grupmoshës 6-14 vjeç në shkolla, i mundësuar falë investimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për ngritjen e kabineteve të reja dentare, me pajisje bashkëkohore.
“Jam e kënaqur që nisëm këtë program në 10 kabinete të reja dentare në shkollat e Tiranës. Gjithashtu do të shtrihemi këtë vit edhe në tre qarqe, me 8 kabinete në Shkodër, në Elbasan dhe në Durrës”, tha Manastirliu. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se objektivi është për ta shtrirë këtë program në të gjithë Shqipërinë, ndërkohë që bëri me dije se dy njësi të lëvizshme do të jenë gati për të depistuar nxënësit në zonat rurale.
“Ne planifikojmë që të kemi gjithashtu edhe dy kabinete të lëvizshme, të cilat brenda vitit do t’i kemi, për të mundësuar edhe vizitat dhe kontrollin për kujdesin ndaj dhëmbëve edhe në zonat rurale, aty ku aksesi është më i pakët, që të garantojmë që fëmijët tanë të jenë edhe më të shëndetshëm”, tha Manastirliu.
Një tjetër program që po zbatohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është programi i depistimit të shikimit.
“Ne kemi mundësinë që nëpërmjet mjekëve tanë, nëpërmjet specialistëve tanë, të depistojmë fëmijët, përsa i përket problemeve të shikimit. Janë më shumë se 270 mijë fëmijë që përfitojnë nga dy programet tona, qoftë përsa i përket Programit të Kujdesit ndaj Shikimit, qoftë përsa i përket Programit të Kujdesit Oral”, tha Manastirliu.
Deri tani, mbi 82 mijë fëmijë në të gjithë vendin janë depistuar për shikimin në shkolla, nga të cilët, rreth 10 mijë prej tyre janë referuar tek mjeku specialist. Ndërsa nga Programi i Dentistrisë në shkollat e Tiranës, deri tani janë depistuar dhe trajtuar mbi 1 mijë fëmijë.