Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se projektligji i amnistisë fiskale, ka një listë shumë të gjatë të përjashtimeve të atyre individëve, të cilët nuk përfitojnë. Në një intervistë për “Euronews Albania’, Ibrahimaj u shpreh se përmes kësaj liste, do të sigurohet që paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale, të mos amnistohen. Ibrahimaj tha se çdo person i cili kërkon të amnistojë paratë, duhet të aplikojë duke bërë një plotësuar një format vetëdeklarimi.
“Dua të theksoj që projektligji, i cili është në konsultim, ka një listë shumë të gjatë të përjashtimeve të atyre që nuk përfitojnë nga kjo amnisti. Pra, përfshin funksionarë publikë dhe familjarët e tyre, subjekte që janë pjesë e deklarimit të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit, subjekte që kanë pasur rekorde penale në Shqipëri, të gjithë subjektet që janë pjesë e ligjit të OFL-së.
Lista e përjashtimeve është shumë e madhe dhe nëpërmjet kësaj liste do sigurohemi që asnjë para që është përfituar nga aktivitete kriminale, nuk do të legalizohet nëpërmjet kësaj amnistie. Duam të amnistojmë dhe legalizojmë ato para që janë fituar nga puna dhe kjo do të kryhet nëpërmjet një formati vetëdeklarimi, ku secili individ do të vetëdeklarojë. Mbas aplikimit me vetëdeklarim të çdo qytetari, një grup i posaçëm i administratës tatimore, përmes një sistemi elektronik do të shkëmbejë të dhëna me një numër institucinoesh të parashikuara në ligj, për të parë nëse janë apo jo subjekt i amnistisë”, theksoi ajo.