Liz Truss e ka dëshmuar veten si mjeshtre e mbijetesës në qeveritë konservatore të dymbëdhjetë viteve të fundit. Karriera e saj njeh vetëm një drejtim: lart dhe pa pengesa. Nga ministre e Drejtësisë, në atë të Financave dhe të Tregtisë e në fund në krye të Ministrisë së Jashtme. Ndërsa shumë kolegë të saj ranë viktimë të luftërave dhe intrigave brendapartiake, ajo i mbijetoi madje valës së fundit të dorëheqjeve pas rënies së Theresa May-it dhe doli sërish fituese nga riorganizimi i fundit i madh i kabinetit të Boris Johnson.
Liz Truss konsiderohet si besnike dhe punëtore, por askush nuk e ka vlerësuar ndonjëherë saktësisht për arritjet e saj. Vetëm një nga kolegët e saj, Rory Stewart, e kritikon kur shkruan në blogun e tij politik për kohën që kanë punuar së bashku në Ministrinë e Bujqësisë. Sipas menaxhimi i Liz Truss ka mbetur në stilin e “IBM të viteve 80” – shkruan ai duke e quajtur përvojën e tij të punës me Trussin si “traumatizuese”. Por Liz Truss ka punuar gjatë gjithë kohës pa u lodhur për imazhin e saj publik. Që kur mori drejtimin e Ministrisë së Jashtme, Liz Truss është shfaqur pa pushim në Instagram dhe Twitter.
Jo tradicionalisht konservatore
Liz Truss-i nuk vjen prej ndonjë familjeje tradicionalisht konservatore. I ati ishte profesor matematike, e ëma infermiere dhe prirjet politike të familjes ishin të majta. Prindërit e kishin marrë Lizin që të vogël në protesta kundër energjisë bërthamore. Po ashtu edhe fillimet e angazhimit të saj në politikë. Si studente ajo qe anëtare e Partisë Liberale.
Po ashtu ajo nga pro-evropiane që ishte para referendumit të Brexit të vitit 2016, u kthye në një mbështetëse të zjarrtë të daljes së Britanisë nga BE. Vitet e fundit Liz Truss është bërë gjithnjë e më e djathtë dhe është një nga përkrahëset më të vendosura të doktrinës së pastër konservatore.
Ajo e sheh veten si pasuese të Margaret Thatcherit, e cila në vitet 1980 arriti që ta fuste ekonominë britanike në rrugën e rritjes përmes një kure drastike privatizimesh dhe decentralizimit. Liz Truss synon ta luftojë inflacionin aktual me ulje taksash, edhe pse ekonomistët e Bankës së Anglisë nuk pajtohen me këtë dhe kanë frikë se një e tillë vetëm mund të nxisë spiralen e çmimeve.
Në politikën e jashtme është e qartë se ajo nis menjëherë mosmarrëveshje me Evropën dhe dëshiron të anulojë menjëherë Protokollin e Irlandës së Veriut si pjesë e Traktatit të Brexit.
Sistemi shëndetësor britanik para kolapsit
Gjithësesi dimri që pritet të shoqërohet me pakënaqësi dhe protesta kundër urisë dhe varfërisë dhe sistemit shëndetësor të dështuar në Britaninë e Madhe si dhe valët e paralajmëruara të grevave, do të jenë një sprovë për kryeministren pa përvojë.
England London | Protest gegen steigende Energiepreise
Mbetet për t’u parë nëse Liz Truss do ta hedhë poshtë ideologjinë e saj konservatore po aq shpejt sa dhe bindjet e saj të mëparshme. Sidoqoftë përplasja mes realitetit të ashpër dhe besimit të saj në tregun e lirë do të ofrojë një spektakël interesant./DW