Shqipëria synon që të transformohet në një eksportuese neto e energjisë elektrike deri në 2030.Gjatë fjalës së mbajtur në forumin energjitik të vendeve të Europës Juglindore ministrja e energjisë Belinda Balluku theksoi se tashmë fokusi i qeverisë është në përfundimin e projekteve që do të sigurojnë energji nga burime të rinovueshme.
“Aktualisht kemi në progres një sërë projektesh të rëndësishme për prodhimin e energjisë elektrike siç janë dy parqet fotovoltaike, hidrocentrali i skavicës,termocentralet me gaz të lëngshëm apo eksplorimet e SHELL për rezervat e gazit. Ne synojmë që në vitin 2030 të rrisim kapacitetin prodhues deri në 4 terravat duke e transformuar Shqipërinë në një eksportuese neto të energjisë elektrike. Kjo do të ofrojë siguri energjitike edhe për vendet e rajonit,” tha Balluku.
E pranishme në këtë forum ambasadorja Yuri Kim theksoi rëndësinë e prodhimit të energjisë nga Shqipëria si një zgjidhje edhe për rajonin.
“Shqipëria do të na surprizojë duke ndërtuar kapacitete prodhuese të erës e diellit. Këto janë përpjekje për të integruar tregun rajonal të energjisë dhe kjo është një përpjekje që SHBA e mbështet”, tha Yuri Kim.
Gjatë diskutimeve në Forumin Energjetik të vendeve të Europës Juglindore u nënvizua edhe rëndësia e eficencës së energjisë dhe nevoja për kursim për përballimin e kësaj krize që ka prekur të gjitha vendet.