Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim do të akordojë 30 mln euro hua shtesë për zhvillimin e integruar urban dhe turizmit për bashkitë Sarandë, Gjirokastër, Përmet dhe Berat. Marrëveshja për huanë shtesë është depozituar në Kuvend dhe pritet të kalojë së shpejti për miratim. Shtesa do të akordohet për vazhdimin e financimit të projektit për zhvillimin e infrastrukturës dhe turizmit të këtyre zonave që nisi financimin nga projekti i BERZH në vitin 2017 me vlerë 63,8 mln euro që ka si qëllim primar përmirësimin e infrastrukturës urbane, nxitjen e turizmit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur turizmin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale në zonat e përzgjedhura në jug të Shqipërisë.
“Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim do të akordojë shtesën e financimit prej 30,000,000 eurosh Republikës së Shqipërisë, me qëllim financimin e projekteve të përshkruara në këtë marrëveshje dhe duke vendosur si datë përfundimi datën 31 korrik 2025. Entiteti zbatues i projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit”, thuhet në relacion. Projekti për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin (PIUTD) është pjesë e strategjive afatgjata të qeverisë shqiptare për të gjallëruar ekonomitë vendore dhe jetën komunitare përmes një vëmendjeje të shtuar ndaj zhvillimit urban dhe turizmit. Objektivat e projektit lidhen me përmirësimin e infrastrukturës urbane, rritjen e vlerës së aseteve turistike, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për mbështetjen e zhvillimeve ekonomiko-sociale që lidhen me sektorin e turizmit.
Projekti klasifikohet i kategorisë B, sipas standardeve të kategorizimit që aplikon Banka Botërore, çka nënkupton se ndërhyrjet e ndërmarra në kuadër të tij nuk duhet të kenë ndikime të pakthyeshme sociale apo mjedisore. Gjithashtu në relacion theksohet se ky projektligj, referuar rëndësisë së tij, konsiderohet pjesë e dokumentit “Agjenda 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm dhe 17 objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm (SDG), të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në vitin 2015”, (burimi INSTAT), ku si objektiva ka nxitjen e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv dhe punë të denjë për të gjithë, si dhe ndërtimin e infrastrukturave rezistuese, nxitjen e industrializimit gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm dhe nxitjen e novacionit./Monitor