Një anije peshkimi me mbi 30 mijë litra karburant kontrabandë është bllokuar në det të hapur gjatë natës së kaluar.

Peshkarexha e bllokuar është në pronësi të Roland dhe Shpëtim Cani (vëllezër), të cilët janë shoqëruar në polici. Gjithashtu është ndaluar edhe marinari Ervin Hasani.
Paraprakisht deklarohet se anija “Leone”, që i përket dy vëllezërve nga Kavaja është konstatuar në ujërat ndërkombëtare nga Guardia di Finanza, e cila ka njoftuar autoritetet shqiptare.

Gjatë natës së kaluar policia kufitare është vënë në lëvizje duke e sjellë në port peshkarexhën, ndërsa po vijon vlerësimi i sasisë së karburantit që dyshohej se do të hidhej në treg kontrabandë, pas blerjes në Liban.
Anija kishte dalë për gjueti në datën 5 shtator në drejtim të jugut dhe kur ka dalë në ujërat ndërkombëtare ku dyshohet se ka marrë dhe sasinë e naftës nga një anije libaneze, veprim ky i pikasur nga Guardia di Finanza.
Më 23 korrik një tjetër anije peshkimi, “Anyway” me 72 mijë litra karburant në bord u sekuestrua në kalatën e ish-kantierit detar në portin e Durrësit, ndërsa u arrestuan kapiteni dhe motoristi i anijes.
Ata kishin lundruar drejt Bengazit në Liban ku ishin furnizuar me karburant, që dyshohej se do të hidhej në treg kontrabandë për qëllime fitimi.
Çmimi i lartë i naftës në vendin tonë dyshohet se ka aktivizuar tregtinë e karburantit të blerë kontrabandë në Liban, ku në verë çmimi i karburantit, sipas deklaratave të peshkatarëve, ishte 0,25 dollarë për litër.
Njoftimi policisë:
Kontrolle intensive në tokë dhe det, nga shërbimet e PKK Port Durrës dhe DVP Durrës, në bashkëpunim me autoritetet portuale dhe doganore, si dhe me ekipin monitorues të Guardia di Finanza, me qëllim evidentimin dhe goditjen e kontrabandës me mallra të ndryshëm.
Finalizohet plani operacional policor i koduar “Diesel 2”.
Gjenden dhe sekuestrohen rreth 25 000 litra naftë, si dhe mallra të tjerë, të dyshuar të kontrabanduar.
Si rezultat i kontrolleve intensive për goditjen e paligjshmërive, shërbimet e PKK Port Durrës në bashkëpunim me autoritetet portuale dhe doganore, ekipin monitorues të Guardia di Finanza dhe me specialistët e seksioneve për Hetimin e Krimit dhe Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Durrës, kanë organizuar dhe finalizuar planin intensiv operacional të koduar “Diesel 2”, në kuadër të të cilit janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kontrabandimit të mallrave të ndryshëm dhe janë vënë në pranga shtetasit Sh. C., 43 vjeç dhe R. C., 41 vjeç, banues në Kavajë (vëllezër).
Shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe kanë ndaluar për kontroll anijen e peshkimit me të cilën lundronin shtetasit e arrestuar. Si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në bordin e anijes së peshkimit, janë gjetur dhe sekuestruar rreth 25 000 litra naftë, për të cilën këta shtetas nuk dispononin dokumentacionin e nevojshëm.