Liderët botërorë dhe qytetarët në të gjithë botën kanë nderuar Mbretëreshën ElizabethII, e cila ndërroi jetë të enjten në moshën 96-vjeçare në Pallatin Balmoral në Skoci.
Mijëra qytetarë u mblodhën të enjten mbrëma në Londër afër Pallatit Buckingam duke vendosur lule.
Kurora dhe buqeta në nderim të mbretëreshës u vendosën edhe në Kështjellën Uindsor dhe në rezidenca të tjera mbretërore, për të nderuar monarken që mbretëroi për 70 vite.
Homazhe në nder të saj u bënë nga SHBA-ja e Kanadaja deri në Japoni e Australi nga qytetarë të ndryshëm të cilët vendosën lule jashtë ambasadave apo katedraleve.
Flamujt u ulën në gjysmë shtizë në mbarë botë, përfshirë në Uashington, Berlin, e Bruksel, ndërsa në Paris Kulla Eiffel fiku dritat në mesnatë në nderim të Mbretëreshës.
Liderët botërorë shorehën ngushëllime për familjen mbretërore, duke lartësuar figurën e papërsëritëshme të Mbretëreshës Elizabeth.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se ajo ishte “një mbretëreshë me zemër të mirë” dhe një “mike e Francës”.
Presidentët amerikanë kujtojnë Mbretëreshën
Presidenti amerikan, Joe Biden, i cili që për herë të parë takoi Mbretëreshën 40 vite më parë tha se ajo ishte “më shumë se sa një monarke”.
Kujtojmë se Mbretëresha Elizabeth II gjatë mbretërimit të saj ka takuar 13 presidentë të SHBA-së.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Mbretëresha “magjepsi botën” me “mbretërimin e saj me mirësi, elegancë dhe me një punë të palodhur etike”.
Edhe ish-lideri amerikan, Donald Trump, tha se “nuk do të harroj kurrë miqësinë e saj, mençurinë dhe sensin e mrekullueshëm të humorit”.
Ish-udhëheqësi tjetër amerikan, George W Bush e përshkroi Mbretëreshën si njeri “me intelekt të mardh, hijeshi dhe zgjuarsi”.
Në Kanada, ku Mbretëresha Elizabeth ishte kryetare shteti, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, tha se ajo kishte “një dashuri të madhe për kanadezët”.
“Në një botë komplekse, vendosmëria dhe qëndrueshmëria e saj solli rehati për të gjithë ne”, tha ai, duke shtuar se do t’i mungojnë bisedat me të.
“Ajo ishte një ndër njerëzit e mi më të preferuar në botë dhe do të më mungoj”, tha Trudeau teksa mbante lotët.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se “përkushtimi i saj për pajtimin gjermano-britanik pas tmerreve të Luftës së Dytë Botërore do të mbetet i paharruar”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu ka reaguar pas lajmit për vdekjen e monarkes britanike. Ai tha se është “pikëlluar” kur ka marrë lajmin për vdekjen e Mbretëreshës britanike.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se “empatia dhe aftësia e Mbretëreshës për t’u lidhur me çdo gjeneratë që kalonte, përderisa qëndronte e vendosur në traditë, ishte një shembull i udhëheqjes së vërtetë”.
Reagime erdhën edhe nga liderët shqiptarë, presidenti bajram Begaj, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kryeministri Edi Rama apo anëtarë të opozitës.
Në Kosovë, presidentja Vjosa Osmani tha se “ajo ishte një udhëheqëse e vërtetë dhe një grua e jashtëzakonshme”.
Familjet mbretërore shprehin ngushëllime
Mbreti Willem-Alexander i Holandës, i cili është kushëriri i pestë i Mbretëreshës tha se ai dhe Mbretëresha Maxina e kujtojnë Mbretëreshën britanike si person “të palëkundur dhe të mençur”.
Mbreti i Suedisë, Carl XVI Gustaf, po ashtu një kushëri i largët i Mbretëreshës Elizabeth – tha se ajo ishte “gjithmonë një mike e dashur e familjes dhe një lidhje e çmueshme me historinë që ndajnë familjet tona”.
Ndërkaq, në Belgjikë, Mbreti Philippe dhe Mbretëresha Mathilde, thanë se ajo ishte “një personalitet i jashtëzakonshëm, e cila gjatë mbretërimit të saj tregoi dinjitet, kurajë dhe devocion”.
Në Arabinë Saudite, Mbreti Salman dhe Princi i Kurorës bin Salamn, kanë dërguar telegrame ngushëlluese, duke e cilësuar Mbretëreshën britanike si model për udhëheqje.
Mbetëresha Elizabeth II ishte monarkja më jetëgjatë në historinë britanike, e cila mori fronin në vitit 1952.
Në krye të Mbretërisë së bashkuar tashmë është djali i saj i madh, Charles, ish-Princ i Uellsit, i cili merr titullin Mbreti Charles III.