Të dyja i zgjodhi me dorë, si datën edhe ditën. Data 13 dhe dita e martë, në kulturën e disa popujve, edhe në kulturën tonë, konsiderohen si datë dhe ditë ‘të djallit’. Familja- parti e Ilir Metës ka fantazuar gjatë mbi ‘djallin’ që do të godiste atdheun në datë 13 shtator, ditë e marte (!). Kështu u ngjiz ‘protesta’ e Metës.

Nëse fuqia e ‘zotit të keq’ nuk do të merrte me vete vlera të mëdha, atëherë edhe krimi i familjes nuk do të fshihej. Kjo ishte pesha. Kaq e thjeshtë është zgjedhja e datës 13 shtator për të sulmuar inceneratorin e Tiranës me disa turma të verbra dhe disa ‘jo të verbër’.

A pyet njeri për Atdheun para besëtytnisë?

Po them për këta njerëz që gjuajnë për ditën më të vështirë të atdheut, me qëllim që ditën e keqe t’i zënë rrugën. Atdheu tanimë është i sulmuar nga shtetet armike. Nëse i shtohet edhe sulmi i dy ish- presidentëve të vet, kjo nuk mund të thuhet se ‘nuk ndodh gjë’. Jo, ndodh. Mbrëmë ishte në plan që të ndodhte t’i vihej zjarri ose të pushtohej inceneratori i Tiranës. Nga jashtë atdheut, sulmi i Iranit (ose një Irani tjetër) po kërkon hapësirë. Misioni i lodhjes ose edhe i rrëzimit të atdheut nga përbrenda është shërbimi më i madh për shtetet armike. Mes dy ish- presidentëve tanë dhe sulmit nga jashtë, tashmë ka një lidhje të provuar. Të dy, gjatë kohës kur mbanin në duar frenat e shtetit, ‘të brendshmet’ e shtetit i ndanë me agjenturat ruse dhe iraniane.

Çfarë është kjo punë, këta e duan atdheun poshtë në greminë?

Do të ishte sa e pa mundur, sa edhe e pa arritshme që dy persona ta hedhin atdheun tej si një leckë. Ka ardhur momenti që vendi ynë ndodhet nën rrezikun e sulmeve nga Rusia dhe Irani, e bash në këtë moment këta bëjnë edhe të fundit që ta dobësojnë atdheun. Por nuk e besoj se këta mund ta mposhtin; nuk besoj as se këta nuk e duan atdheun si krijesë. Madje këta betohen ‘për patriotizëm’… Këta e duan atdheun, por e duan që ta përdorin dhe ta shtrydhin. E para, ta përdorin siç e kanë keqpërdorur, duke e vjedhur dhe duke e shëmtuar; dhe e dyta: duke i vënë prapë zjarrin me qëllim që brenda kurmit të atdheut të digjeshin krimet e këtyre.

Pse do të digjej mbrëmë inceneratori i Tiranës?

Menjëherë, Ilir Meta do të burgosej në flagrancë; por kjo do të ishte arritja e tij. Do të prangosej për një krim të vogël e ‘vulgar’. Atëherë do të shfaqej para kamerave e do të tundte këmbë: ‘Më burgosën për një hiçgjë!’

Me këtë rast i mbuloheshin edhe krimet e mëdha: Vjedhja e floririt, dosja e 690 mijë dollarë lobimi pa burim; vjedhja e madhe në CEZ; pasuria prej miliona në Londër dhe në offshorët e botës; pasuria e fshehur në muret e Irfanit; blloku i zi dhe 700 mijë euro në videon e Tritan Priftit; lumi i parave që i vinin nga kunati Drini… dhe informacioni i klasifikuar për Iranin…

Të dy, njësoj, rrahin këmbë se janë patriotë, por atdheun e bëjnë ‘leckë’ që nga mëngjesi në mbrëmje. Vini re: Janë shtuar stërkeqet dhe sharjet ndaj atdheut që nga dita kur vendi kërcënohet nga fuqitë armike nga jashtë dhe kur Amerika i ka dalë në krah vendit tonë.

E duan a nuk e duan vendin?

Mes tyre, thellë- thellë, çështja shtrohet ‘atdheun ta kemi’, por jo ‘edhe ‘ta bëjmë’, dmth ta zbukurojmë. Kudo ku ndërtohet një vepër publike, aty preket një interes i tyre privat; dhe këtë e ‘djegin’. I dëgjuat buritë e Berishës kundër portit të ri të jahteve në Durrës? Projekti i ri kishte prekur territorin pronë të Shkëlzenit që e kishte vënë në shitje për 5.5 milionë euro… E gjithë Shqipëria kështu është, e minuar nga vjedhjet dhe thonjtë e dy ish presidentëve. Këta e duan ‘atdheun ta kemi’ dhe ta keqpërdorin; jo ‘atdheun ta kemi dhe ta bëjmë!’. Fjala e ndritur latine ‘res ficta et picta’ (atdheu i lindur dhe i bërë), përjetohet si mallkim për këta.

Nuk e patë atdheun, sa të shëmtuar, na e lanë kur u larguan?. Një komb që i beson prapë atij që e ka dhunuar, ai bëhet gati për në ferr.

Por a bëhet atdheu, apo është mjaftueshëm ai që kemi që në lindje të tij?

Duhet entuziazëm për atdheun e kombin. Pyetja ‘ta kemi?’, apo ‘ta kemi dhe ta bëjmë?’, ka shqetësuar prej kohësh filozofët dhe ndërtuesit e shtetit perëndimor. Kësaj here kishim fatin që në krah patëm Amerikën dhe Perëndimin për ta mbajtur atdheun jashtë duarve të këtyre. Ndryshe këta datën 13 dhe ditën e martë do t’i kishin ngulur në ballin e atdheut.