Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka bërë me dije se Shqipëria nuk do të aplikojë masa për ndërprerje të energjisë elektrike pas orës 22:00. Ditën e nesërme, në orën 09:00 së bashku me kryeministrin Edi Rama do të prezantojnë paketën e energjisë në një kohë kur e gjithë bota përballet me krizën energjetike.

“Nuk më rezulton që të ketë masa për ndërprerje të energjisë pas orës 22:00 sepse do të ishte masë emergjence shumë e madhe. Nuk ndodh kjo. Pas orës 22:00 kërkohet ndërprerja e ndriçimit publik. Gjermania e ka aplikuar këtë dhe do të thoja që aplikimi i ndriçimit publik i njësive tregtare dhe gjithçkaje tjetër ndodh nga ora 4 pasdite deri në orën 10 të darkës. Vetëm ai interval lejohet të ketë drita të ndezura. Flasim për ambiente publike. Pas atij momenti fiken dritat deri të nesërmen në orën 4 pasdite.

E ka nisur Gjermania, por e aplikojnë edhe shtete të tjera. Është pjesë e paketës së kursimit të energjisë. Nesër me kryeministrin do të bëjmë prezantimin e paketës së energjisë përsa i përket edhe fashës 800 KWH që do të nisë nga 1 tetori dhe disa masa drastike që do të marrim në vazhdim”, tha Balluku.