Programi i Bashkimit Europian “EU4Schools”, që po kontribuon në procesin e Rindërtimit, njoftoi se, në këtë vit të ri shkollor, kanë hapur dyert 10 shkolla të reja në 8 bashki të vendit.
Programi “EU4Schools”, publikoi në rrjetet sociale foto nga mjediset e institucioneve arsimore që janë rindërtuar sipas standardeve më të mira, duke krijuar modele bashkëkohore të institucioneve arsimore në vendin tonë.
Përmes “EU4Schools” janë rindërtuar: Kopshti Nr. 2 në Shijak; Shkolla 9 – vjeçare dhe kopshti “Rilindja” në Shijak; Shkolla 9 – vjeçare dhe kopshti Karpen në Kavajë, Shkolla 9 – vjeçare Berxullë në Vorë; Kopshti Nr. 2 në Kurbin; Kopshti Nr. 1 “Mimozat” në Kurbin; Kopshti Nr. 2, Derede në Krujë, Kopshti Varosh në Krujë; Kopshti Okshtun në Rrogozhinë; Çerdhja Nr. 3 në Durrës.
Gjithsej janë 30 institucione arsimore të cilat presin fëmijë dhe nxënës në shkolla dhe kopshte, nga 60 që janë pjesë e programit.
Programi “EU4Schools” financohet nga BE me 75 milionë euro dhe zbatohet nga UNDP Albania.
Në fokus të tij është rindërtimi apo riparimi i 60 objekteve arsimore në 11 bashkitë më të prekura nga tërmeti shkatërrues, falë të cilit përfitojnë drejtpërdrejtë rreth 24.500 fëmijë, nxënës e mësues.