Kriza e likuiditetit ka goditur tashmë disa firma të mëdha evropiane të energjisë elektrike, të cilat janë shtyrë drejt falimentimit.

Gjatë fundjavës, Finlanda dhe Suedia njoftuan planet për të ofruar miliarda euro garanci likuiditeti për kompanitë e energjisë që po “thyhen” nga presioni i rritjes së çmimeve të gazit.

Të premten e 9 shtatorit, ministrat e energjisë të BE-së mblidhen në Bruksel për të diskutuar mundesite për të frenuar rritjen e çmimeve të energjisë, duke përfshirë kufijtë e çmimit të gazit dhe linjat e kreditit emergjent për pjesëmarrësit e tregut të energjisë.

Opsionet në shqyrtim përfshijnë masa për të rritur likuiditetin e tregut si “mbështetja e menjëhershme e linjës së kreditit” për firmat energjetike në vështirësi, “për shembull nëpërmjet rolit të Bankës Qendrore Evropiane” ose një “pezullim të përkohshëm të tregjeve evropiane të derivateve të energjisë”, sipas një dokumenti nga presidenca çeke e BE-së.

Në Bruksel, Komisioni Evropian tha se ishte shumë i vetëdijshëm për nevojën për kolateral në sektorin e energjisë.

“Dhe kjo kërkon ndihmën e kompanive për ta stabilizuar këtë,” tha një zyrtar i lartë i Komisionit Evropian në një konferencë shtypi të mërkurën.

Euractiv shkruan referuar ekspertëve se çmimet e larta të gazit jo vetëm që po dëmtojnë fuqinë blerëse të familjeve, por gjithashtu po i vënë firmat e energjisë elektrike nën një “tension të paparë likuiditeti”.

Alarmi u ngrit nga Kristian Ruby, sekretari i përgjithshëm i Eurelectric, shoqata e industrisë elektrike ne BE.

Çmimet e energjisë elektrike në tregun me shumicë u rritën me 532% midis janarit 2021 dhe gushtit 2022 për shkak të rënies së furnizimeve me gaz, sipas Barometrit të Fuqisë së Eurelectric , të zbuluar të mërkurën (7 shtator).

“Dhe kjo po shkakton një rritje proporcionale të nevojës për kolateral,” tha Ruby.

Mungesa e likuiditetit nuk është vetëm një problem për firmat energjetike – ajo gjithashtu rrezikon të prishë tranzicionin e gjelbër të BE-së, i cili varet nga elektrifikimi i shpejtë i përdorimeve përfundimtare si transporti dhe ngrohja.