Forumi i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe Ekonomisë Qarkulluese, u mblodh sot për të bërë bilancin e punëve përgjatë një viti që nga shpallja e mjedisit dhe pastërtisë së qyteteve të vendit si një prioritet të padiskutueshëm, me qëllimin për të përhapur më gjerë modelet e riciklimit e kompostimit që janë si shembuj të mirë në disa bashki të vendit.
Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Përshëndetje të gjithëve! Do përpiqem të jem sa më konciz, gjë që nuk më del gjithmonë me sukses, por besoj që pak a shumë, parafolësit i prekën pikat e gjithë kësaj problematike me të cilën kemi kohë që merremi dhe të cilës i kemi kushtuar një vëmendje të jashtëzakonshme, sidomos qysh nga dita e parë e nisjes.
Realisht bazat e vendosura janë pozitive, por nga ana tjetër, nevoja për të ecur shumë më shpejt përpara është realisht therëse.
Ajo që vlen të përsëritet si fakt është që kur ne e nisëm këtë rrugëtim, në Shqipëri 50% e mbetjeve mbeteshin rrugëve, i merrnin ujërat, digjeshin në fusha shumë pranë zonave të banuara dhe faktikisht, banorët e Kombinatit në Tiranë, banorët e Elbasanit apo banorët e Fierit, ku sot situata është absolutisht tjetër, besoj e kujtojnë akoma se çfarë ndodhte në zonat e tyre me malet e plehrave që sillnin në çdo dritare ajrin e ndotur dhe toksik në fund të ditës.
Pa diskutim banorët e Durrësit e kujtojnë, por për fat të keq ka mbetur në mendjet e shumë njerëzve jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë që e kanë ndjekur nga kronikat e stacioneve kryesore televizive në Gjermani, në Angli apo në Francë, fushën e mbushur me vargmale plehrash në natyrë në Porto Romano, e cila sot është kthyer në një zonë rekreative dhe në një nga parqet më të mëdha urbane të Shqipërisë.
Nëse 50% e plehrave mbeteshin rrugëve dhe ktheheshin në lëndë toksike mbi tokë, sot ne jemi në 90% të grumbullimit të tyre dhe kemi akoma një sasi relativisht të vogël që mbetet e pa grumbulluar, por që sidoqoftë, pavarësisht se është relativisht e vogël duhet trajtuar si një problem i madh.
Gjatë këtij viti është bërë një punë e jashtëzakonshme që është kurorëzuar me sezonin më shembullor turistik për sa i përket pastrimit, përmes një ri konceptimi të marrëdhënieve mes qeverisë dhe bashkive bregdetare, por edhe falë angazhimit shumë serioz të kryetarëve të bashkive, ku duhet të përmend Himarën, nuk e shoh kryetarin e bashkisë së Himarës, nuk e di nëse është këtu.
Dua ta përmend si histori suksesi dhe nuk do çuditesha fare të mos ishte këtu, se ka qenë gjithmonë prezent kur ka ngrënë dru publikisht, por shembulli i Himarës është një shembull i jashtëzakonshëm i një zgjimi të befasishëm nga gjumi të kryetarit të bashkisë dhe një pune që është pasqyrë për tu marrë shembull nga të gjithë tanimë, që tregon sa e rëndësishme është kjo marrëdhënie, por dhe sa e rëndësishme është që secili të bëjë punën e vet dhe sa e rëndësishme është të ndërtohet një raport pozitiv me të gjithë komponentët në territor, gjë që bashkia e Lezhës ka qenë e para që e ka bërë dhe që sot e shohim të mishëruar në disa shembuj.
Pogradeci ka qenë një zonë për të ardhur keq, në aspektin e konfliktit vizual mes mrekullisë së natyrës dhe plehrave të mbetura rrugëve. Sot, Pogradeci është një pasqyrë pastërtie.
Kamza, shëmbëlltyra më dramatike e pisllëkut, sot është një pasqyrë pastërtie. Gjirokastra dhe Elbasani. Elbasani jo thjesht për faktin që falë impiantit të ndërtuar atje u hoq gjithë fusha mesjetare e plehrave pak hapa nga qyteti dhe iku dhe reja e zezë e tymit të djegies së tyre të përditshme, por dhe falë një organizimi dhe shtrirje të shërbimit në të gjithë territorin e bashkisë, përtej thjesht zonës urbane.
Megjithatë, të gjitha këto bashki nuk janë dot sot të krahasueshme me Cërrikun dhe Sarandën, që janë jo një, por disa hapa përpara në atë që mbetet një problematikë serioze, trajtimi dhe riciklimi i mbetjeve për të nxjerrë sa më shumë produkt ekonomik nga riqarkullimi.
Cërriku ka ndërtuar një model për tu marrë shembull nga të gjithë.
Ne kemi një takim me kryetarët e bashkive, pas takimit që kemi zhvilluar në Pogradec dhe unë shpresoj që një nga detyrat e lëna në atë takim, që ishte marrja e shembullit të Cërrikut dhe përgatitja e projektit për ta aplikuar në zonën rurale të çdo bashkie, të jetë në këtë takim një fakt që do prezantohet nga kryetarët e bashkive.
Ajo që ka bërë Cërriku është shumë domethënëse për arsye se tregon vizion dhe lidership, për arsye se tregon aftësi ndërveprimi me faktorët e duhur. Në këtë rast, miqtë që kemi këtu në panel dhe për arsye se tregon një kapacitet komunikues dhe organizativ me të gjithë faktorët e territorit, në këtë rast me fermerët, për tu dhënë mundësi që nga mbetjet të krijojnë ekonomi, por edhe për t’i informuar dhe për tua bërë këtë një gjë shumë të kuptueshme sepse ne jemi mbretëria e dyshimit, e skepticizmit dhe e përqeshjes me çdo gjë të re, me çdo gjë të re. Çuditërisht, gjithçka që nuk e përqeshim, por e vlerësojmë shumë tek të tjerët, tek këta për shembull, që kemi në panel kur vizitojmë apo jetojmë në vendin e tyre, këtu i konsiderojmë gjëra të pakuptimta.
Mjafton të shikosh se çfarë hareje ngjall tek cinikët vendosja e shërbimit satelitor, për të kuptuar se sa e vështirë është këtu që risitë të përqafohen me shpejtësi dhe kur mendoj se kryetari i bashkisë së Cërrikut është dashur të shkojë, të flasë dhe tu shpjegojë fermerëve se si duke i grumbulluar mbetjet e tyre, duke ricikluar mbetjet e tyre dhe duke bërë rikompostimin e tyre, ata do të përfitojnë ekonomikisht, nuk ka qenë një gjë e lehtë fillimisht.
Po kështu edhe bashkia e Sarandës, një bashki shembull historik i pisllëkut, i rrëmujës, i kaosit, i të gjithë të kundërtave të ambicies për të qenë një portë turistike e Shqipërisë, një bashki që ka prodhuar dhjetëra e dhjetëra artikuj negativë për Shqipërinë në vite, për shkak të papastërtisë në kohën e dyndjes së sezonit turistik, sot është bashki kampione ne riciklim. Pse? Lidershipi, aftësia organizuese, komunikuese dhe ndërveprimi i duhur me të tjerët dhe përsëri vijmë tek ndryshimi i madh mes arritjes së kapacitetit grumbullues të 90% të mbetjeve në territor që është një shifër goxha, goxha pozitive në raport më gjysmën, gjysma mblidheshin e gjysma mbeteshin rrugëve, e nga ajo gjysma që mblidheshin një pjesë e madhe digjeshin rrugëve. Ndërkohë që sot ky 90% mblidhet dhe trajtohet përgjithësisht në mënyrën e duhur, përgjithësisht, sepse akoma kemi problem me landfille, të cilat nuk i përmbushin të gjitha standardet, por ama ndërkohë nën drejtimin e ministres dhe mbi objektivin që vendosëm janë mbyllur fushat ilegale të plehrave, bashkë me masat përkatëse që janë marrë ndaj disa njësive të qeverisjes vendore. Kështu që objektivi tani është pikërisht kalimi në një fazë tjetër duke marrë shembullin e më të mirëve.
Natyrisht, meqë jam bërë i bezdisur për të gjithë duke e nxjerrë bashkinë e Lezhës gjithnjë në krye, gjë që të gjithëve u kujton edhe profesionin e kryetrarit të bashkisë, unë dua t’i them bashkisë së Lezhës dhe kryetarit që tani ta kuptojnë që nuk mund më të qëndrojnë thjesht në pozicionin që pastrojnë, por duhet të futen edhe në riciklim, edhe ne rikompostim, qoftë edhe në riciklim në qytet, që ka filluar edhe në bashki të Lezhës për hir të së vërtetës, qoftë në rikompostim në fshat. E njëjta gjë edhe për të gjithë të tjerët.
Kështu që duke i falenderuar sinqerisht të gjithë kryetarët e bashkive që dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për të hir të së vërtetës për suksesin e këtij sezoni në aspektin e pastërtisë dhe duke patur bindjen qe kjo do të shërbeje edhe si inkurajim sepse janë bërë ndryshime të mëdha në këtë drejtim në disa bashki, nuk po përmend këtu që po, kemi edhe situata pak më negative, po s’po i përmend, ashtu sikundër dua të them që kryetari i bashkisë së Shkodrës nuk është këtu, por me bashkinë e Shkodrës shohim që ka një përpjekje dhe ka një ndryshim në qasje pavarësisht se situata e pastërtisë në Shkodër është ku thërret qameti. Po përtej çdo gjëje tjetër, e vërteta është ë vërtetë, e vërteta duhet thënë.
Shumë faleminderit të gjithëve dhe natyrisht faleminderit dhe respekte për partnerët tanë. Qeveria gjermane nuk i është ndarë kësaj fushe qysh në krye të herës. Projektet e bëra me mbështetjen e qeverisë gjermane janë realisht masive, që nga ato më të mëdhatë tek ato më të voglat në këtë fushë. E rëndësishme është që vullneti dhe dëshira për të vazhduar mbështetjen është e madhe. Na takon ne që të bëjmë maksimumin dhe dua të nxjerr një fjali të vetme nga fjala e ambasadorit kur tha që: “mos kujtoni se ne, domethënë Gjermania, e kemi arritur qëllimin tonë final për ekonominë qarkulluese, falë riciklimit”. Tani, nëqoftëse Gjermania nuk e ka arritur, atëherë ne duhet ta mbyllim mbledhjen dhe të dalim me kokën ulur që këtu sepse mund ta parafytyrojmë fare lehtë pas kësaj fjalie se sa shumë akoma duhet të bëjmë. Jo për të arritur Gjermaninë, se këtë gjë as nuk mund ta kemi si ambicie gjatë këtij mandati dhe as dua në fakt as ta pretendojmë, se ka dhe siklete të tjera pastaj po të bëhesh si këta, të ikën fare buzëqeshja, por e rëndësishme është që të kuptojmë që kemi shumë, shumë akoma për të bërë. Baza është pozitive, po për t’u ngjitur, duhet akoma shumë, shumë punë.
Shumë faleminderit! Faleminderit edhe zonjës për gjithë punë e bërë edhe për fjalën e detajuar që solli këtu, faleminderit edhe ministres për organizimin!