Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Londër përpara funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II.
Biden është në mesin e rreth 500 krerëve të shteteve dhe personaliteteve të huaja që vijnë në Londër.
Kjo, për një mbledhje të liderëve botërorë që nuk është parë në dekada.
Lajmi u bë i ditur nga agjencitë perëndimore.
Kryeministrat e Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re janë tashmë në Mbretërinë e Bashkuar.
Polemika rrethon disa nga të ftuarit e pranishëm, si Princi i Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed Bin Salman.
Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau, kryeministri i Australisë Anthony Albanese dhe kryeministrja e Zelandës së Re Jacinda Ardern janë gjithashtu pjesëmarrës.
Liderë të tjerë të Commonwealth-it që pritet të marrin pjesë përfshijnë Kryeministrin e Bangladeshit Sheikh Hasina dhe presidentin e Sri Lankës Ranil Wickremesinghe.
India do të përfaqësohet nga Presidenti Droupadi Murmu.
Presidenti francez Emmanuel Macron, Taoiseach (kryeministri) irlandez Micheal Martin, Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier dhe Presidenti italian Sergio Mattarella janë ndër liderët e tjerë botërorë që pritet të marrin pjesë.
Të pranishëm do të jenë edhe anëtarë të familjeve mbretërore nga e gjithë Evropa.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj u nis të shtunën e 17 shtatorit drejt Britanisë së Madhe.
Kreu i shtetit shoqërohet nga Zonja e Parë, Armanda Begaj. Presidenti do të jetë pjesë e ceremonialit të homazheve, për nder të Mbretëreshës.
Gjithashtu, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë do të jenë të ftuar në pritjen mbretërore, në të cilën krerët e shteteve nga e gjithë bota do të mirëpriten nga Mbreti Charles III, në Pallatin Buckingham.