Raporti nga Statistikat e Holandës (CBS) ka nxjerrë se jeta e përditshme është bërë 13.6% më e shtrenjtë në gusht 2022 se në gusht 2021, duke i shtuar kësaj edhe rritjen e ndjeshme nga një muaj më parë.

Prej disa muajsh tanimë inflacioni është shumë i lartë, sepse çmimet e gazit dhe të energjisë elektrike janë rritur ndjeshëm. Dhe së fundmi është gjithnjë e më e dukshme se kostot më të larta për energjinë ndikojnë edhe në çmimet e ushqimeve.

Sipas CBS, ushqimi, pijet dhe duhani janë pothuajse 11% më të shtrenjta në gusht se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Shumë hollandezë tashmë kanë vështirësi ekonomike, pikërisht për shkak se produktet e domosdoshme si ushqimi, pijet, gazi dhe drita janë bërë për një kohë shumë shkurtër më të shtrenjta dhe kështu ekziston mundësia që kostot e jetesës të bëhen të paqëndrueshme.

Çmimi i gazit u rrit në nivel rekord në gusht. Si rezultat, çmimi i energjisë, benzinës, naftës dhe lëndëve djegëse u rritën me më shumë se 88% në krahasim me vitin e kaluar.

Fakti që çmimet e gazit janë shumë më të larta vjen kryesisht për shkak të frikës se Rusia do të reduktojë më tej furnizimin me karburant në Evropë. Kompania shtetërore ruse e gazit Gazprom njoftoi se do të mbyllte sërish gazsjellësin e rëndësishëm Nord Stream për në Gjermani. Pas pushtimit rus të Ukrainës,

Gazprom tashmë ka ndaluar furnizimin me gaz për një numër vendesh evropiane. Konsumatorët e mëdhenj, si Gjermania, marrin shumë më pak se zakonisht.